English

Ja si mund të përfitosh kredi të buta

Nga Rajmonda LajthiaÂ

Tiranë, 15 tetor NOA - Në se je një biznes që kryen një xhiro vjetore deri në 5 milion euro dhe ke të punësuar mbi 250 punëtorë ekziston mundësia që të përfitosh kredi me terma të butë.

Këtë e mundëson fondi i qeverisë italiane prej 27 milion euro, i cili i vjen në ndihmë biznesit vendas, në kushtet kur kredidhënia nga bankat është tkurrur ndjeshëm.

Por jo të gjithë kanë të drejtën e aplikimit.

Ka kritere që duhen plotësuar dhe ka sektorë që janë prioritarë.

Sipas Lauresha Grezda, drejtore e projektit për zhvillimin e sektorit privatë bizneset mund të aplikojnë pranë dhomave të tregtisë dhe industrisë.

E rëndësishme, sipas saj është fakti që kompania që aplikon të ushtrojë aktivitetin në Shqipëri, 51 % e kapitalit ti zotërojë një shtetas shqiptarë, të ketë jo më pak se 250 punëtorë si dhe të kryejë një xhiro vjetore, jo më shumë se 5 milion euro.Â

Por projekti në fjalë favorizon ato biznese që ushtrojnë veprimtarinë në sektorin e agro-industrisë, bujqësisë si dhe në energjinë e rinovueshme. Deri tani kanë përfituar 13 biznese, me një shumë kredie prej 3.2 milion euro.

Sipërmarrësit privatë e vlerësojnë këtë projekt si të frytshëm, por problemi I vetëm mbeten interesat e larta bankare.

Biznesmeni Alban Zusi thotë se ky projekt do të funksiononte edhe më mirë në rast se bankat nuk do të ishin kaq shumë të uritura ndaj kredimarrësve.

Sipas tij kredia e dhënë nga qeveria italiane është pa interes.

Për bankat është lënë një normë fitimi nga 0.5 deri në 5.5%, meqenëse kredia është për zhvillim.

Por Zusi thotë se bankat nuk negociojnë në këtë drejtim duke aplikuar normën maksimale të interesit prej 5.5%. Biznesi vendas po përballet me një situatë të vështirë likuiditeti. Bankat nuk po japin kredi, për shkak të riskut, duke frenuar në këtë mënyrë investimet në sektorin privatë. Kjo situatë nëse do të zgjasë pritet të ketë pasoja në rënien e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

r.l/NOA

KOMENTE