English

Mashtrimi, akademikët maqedonas: Nuk do ta tërheqim mbrapsht enciklopedinë

Shkup, 15 tetor, NOA - Shumica e akademikëve maqedonas kanë deklaruar se "Enciklopedia Maqedonase" nuk do të tërhiqet, por vetëm sa do të bëhet korrigjimi në pjesët kontestuese të saj.

Ky vendim i befasishëm ka dalë nga Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), ku shumica prej 48 anëtarëve të këtij kuvendi kanë anashkaluar vendimin e kryesisë që të tërhiqet "Enciklopedia".

"Nuk do të tërhiqet Enciklopedia. Ne biseduam për gjithçka por nuk kemi miratuar asnjë qëndrim. Disponimi në këtë moment është që të bëhet gjithçka të tejkalohen të gjitha paqartësitë të cilat shkaktuan tensione. Kjo mund të ndodh vetëm nëse bëhen ndërhyrje të caktuara që shkaktuan animozitet ndaj Akademisë", ka deklaruar kryetari i ASHAM, Georgi Stardellov.

Ndërkohë, dilema dhe shqetësime nga kjo mbledhje ka dhënë akademiku shqiptar, Ali Aliu, i cili për ka theksuar se gjatë debatit tre orësh ka pasur diskutime që ishin në drejtim të amnestimit të redaksisë dhe kryeredaktorit të saj, akademikut Bllazhe Ristevski. "Kishte diskutime për amnesti, por kishte dhe diskutime që kjo redaksi të mos ketë mandat tjetër pas skandaleve të bëra. Nëse vërtetë mundet të mbizotërojnë dhe votojnë ata që janë në favor të Bllazhe Ristovskit, do të ishte një fatkeqësi e rëndë dhe do të kishte një fund jo të këndshëm për ne shqiptarët", ka theksuar akademiku Ali Aliu, duke shtuar se vendimet përfundimtare do të dihen gjatë të hënës tjetër.

Ndërkohë, akademiku Bllazhe Ristovski i pyetur nga agjencia e lajmeve INA ka theksuar se ai është i palënkundër në qëndrimet e tij dhe se sipas tij, nuk duhet asnjëherë të mbisundojë bindja për të tërhequr "Enciklopedinë".

Sinjalet e para nga ASHAM kanë shtuar shqetësimet për epilogun e kësaj vepre kontestuese, që nxiti reagime nga shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare për faktet e shpalosura fyese dhe etiketuese.

NOA-INA

KOMENTE