English

Rama: Rikërkoj dorëzimin para drejtësisë të Fatmir Mediut e Lulzim Bashës

Tiranë, 15 tetor NOA/UPDATE - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë konferencës për shtyp që dha mesditën e sotme ka analizuar raportin e KE-së në lidhje me korrupsionin që vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz.

"Korrupsioni mbetet serioz sepse në fakt, sot ka një pushtet familje në pushtet që është ngjitur mbi ligjin dhe shërbëtorët e saj gëzojnë imunitet për vepra shumë të rënda korruptive, falë presionit mafioz të pushtetit të familjes mbi drejtësinë e mbi njerëzit e drejtësisë" tha Rama.

"Në këtë kontekst, kur miqtë e partnerët tanë evropianë detyrohen të përmendin, në raportin më të rëndësishëm për Shqipërinë, emrin konkret të një ministri të riveshur me imunitet e të ricikluar në qeverinë e vendit, fill pas riciklimit të pushtetit të familjes përmes grabitjes së zgjedhjeve, në emër të opozitës shqiptare rikërkoj dorëzimin para drejtësisë të Fatmir Mediut e Lulzim Bashës.

Dy oborrtarët e pushtetit të familjes, të cilët nga ana e tyre fshehin sekretin e implikimit të drejtpërdrejtë të Familjes në Pushtet, qoftë në krimin shtetëror të Gërdecit, qoftë në krimin ekonomik të zhvatjes së fondeve të rrugës Durrës-Kukës, duhet të gjykohen deri në fund" tha më tej Rama.

Sipas tij, organet e drejtësisë duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe integritet profesional për të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore që mundësojnë gjykimin e të gjithë atyre që Raporti i Komisionit Evropian i quan shprehimisht personat përgjegjës të krimit shtetëror të Gërdecit, pavarësisht statusit apo pozicionit të tyre shoqëror.

"Mosgjykimi deri në fund i tyre përbën edhe njërën prej zonave më të errëta të pasqyrës së këtij raporti shumë realist për Shqipërinë, ashtu sikundër mosgjykimi deri në fund i grabitjes marramendëse të fondeve të rrugës Durrës-Kukës lë hapur një tunel të errët korrupsioni ku sot e gjithë ditën treten fondet e punëve publike të qeverisë së Gërdecit' deklaroi kryesocialisti Edi Rama.

k.k/NOA

KOMENTE