Bruksel, 15 tetor, NOA - Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olli Rehn ka paraqitur në Bruksel raportin vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e përpjekjeve të rajonit për t'u integruar në Bashkimin Evropian. Zëdhënësi i tij, Amadeu Altafaj, tha në një intervistë për BBC-në se BE i inkurajon të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në familjen europiane sapo të përmbushin kushtet e përcaktuara. Altafaj thotë se Shqipëria ka bërë përparime, por përballet ende me sfida të mëdha për të plotësuar kriteret e BE-së.Â
 Z.Altafaj, si e sheh Komisioni përparimin e bërë nga Shqipëria? A ka ecur vendi përpara aq sa do të dëshironte Komisioni, apo përparimi i saj ka qenë më i ngadaltë se sa duhet?
- Së pari, ka një zhvillim të rëndësishëm që ka ndodhur kohët e fundit, në prill të këtij viti kërkesa për anëtarësim në BE nga Shqipëria. Tani ne jemi gati të përgatisim opinionin tonë sapo të na ftojnë ta bëjmë këtë vendet anëtare. Ka pasur disa ngjarje të rëndësishme muajt e fundit që janë nënvizuar në raport, si për shembull zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan duke plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare, megjithëse kishte disa të meta që duhen trajtuar në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, sigurisht, vlerësimi i ynë arrin në përfundimin sot se disa çështje, si për shembull sundimi i ligjit apo garantimi i funksionimit si duhet të institucioneve shtetërore kanë qenë, janë dhe do të mbeten sfida të mëdha. Pra ne presim më shumë përparim.
A është Komisioni i kënaqur me përparimin? A mendon ai se është më i ngadaltë se sa duhet, apo i shpejtë?
- Ne mendojmë se ka ende punë të rëndësishme për t'u bërë nga autoritetet shqiptare, dhe unë përmenda vetëm pak fusha ku ne me të vërtetë prisnim më shumë. Por për sa i përket zhvillimit demokratik të Shqipërisë, ka pasur disa shenja pozitive dhe zgjedhjet parlamentare ishin një termometër i mirë për të vlerësuar përparimin e bërë, por gjithashtu edhe përparimin që duhet bërë në muajt dhe vitet e ardhshme. Gjithashtu, sigurisht, është edhe çështja e regjimit të udhëtimit pa viza. Është shumë e rëndësishme për ne, por më e rëndësishme për vetë qytetarët, dhe ne presim që qeveria të plotësojë kushtet bazë, të njejtat kushte që u plotësuan kohët e fundit nga Serbia, Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, që do të na lejojë ne që të ecim në atë drejtim për të rekomanduar udhëtim pa viza.
Kur mendon Komisioni se do të përfundohet çështja e regjimit pa viza. Mendoni se vitin e ardhshëm?
- Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Një gjë është se çfarë shpresojmë ne, dhe se çfarë duam të shohim dhe në këtë kuptim ne presim që në pranverë të vitit 2010 ne të bëjmë propozimet për këtë. Por çdo gjë pritet të shihet, dhe përgjegjësia kryesore qëndron me autoritetet shqiptare. Ata janë ato që mund të zbatojnë reformat e rëndësishme që duhen plotësuar, si për shembull lëshimi i pasaportave biometrike, garantimi i menaxhimit të kufijve që të jetë plotësisht në përputhje me kriteret e BE-së. Nëse këto reforma bëhen me të vërtetë ne mund të ecim përpara relativisht shpejt në vitin 2010.
Në raport Komisioni inkurajon për dialog politik në Shqipëri. Dhe ne e dimë se pas zgjedhjeve Komisioni pranoi verdiktin e vëzhguesve të OSBE-së - pra, shumë kritere u plotësuan, por zgjedhjet ende nuk ishin në standardin më të lartë. Opozita në Shqipëri po bojkoton parlamentin - dhe kërkesa e tyre është transparenca e zgjedhjeve. Si e konsideron Komisioni këtë bllokim politik në Shqipëri, a do të pengojë ai përpjekjet e Shqipërisë për të plotësuar kriteret?
- Mendoj se vendimet duhen marrë nga forcat politike shqiptare. Ne presim që të ketë një dialog të vërtetë politik midis forcave politike. Parlamenti është vendi ku duhet të zhvillohet ky dialog, kryesisht. Por, sigurisht që zgjedhjet ishin një test. Shumica e standardeve ndërkombëtare u plotësuan, siç e kuptojmë ne, por megjithatë ende kishte të meta dhe ato duhen trajtuar në të ardhmen. Ne do të ndjekim nga afër zgjedhjet e ardhshme për të parë nëse ka përparim në këtë kuptim. Dhe këtu ka një dinamikë të vërtetë politike në vend, ne kemi parlamentin që është qendra e debatit politik dhe në të marrin pjesë të gjitha forcat politike relevante.
Pra, Komisioni, BE-ja e inkurajon opozitën të kthehet në parlament?
- Komisioni nuk merr anën e ndonjërit në këtë. Komisioni thjesht thotë se duhet të ketë një dialog politik të mirëfilltë, të vërtetë, përfshirës, midis të gjitha forcave politike relevante në Shqipëri.
Po për çështjen e regjimit pa viza për Kosovën, a ka një kuadër kohor për këtë?
- Nuk ka një kuadër kohor të përcaktuar. Kjo do të varet edhe nga përparimi i bërë nga Kosova, që të ndërmerren reforma dhe të plotësohen kushtet. Reformat përshijnë gjithashtu edhe çështje të tilla teknike, si të paturit e pasaportave të sigurta dhe të garantuara me të dhëna biometrike, masa të kontrollit të kufirit ashtu si edhe vende të tjera të rajonit. Siç dihet, ne kemi ecur në këtë drejtim me Serbinë, Malin e Zi dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, dhe ne synojmë ta bëjmë këtë, shpresojmë, vitin e ardhshëm, edhe për Bosnien e Shqipërinë.
Çfarë është e re në këtë propozim për Kosovën?
- Së pari, ne themi shumë qartë se ne duam që Kosova të ketë të njëjtat mundësi si çdo vend tjetër në Balkanin Perëndimor kur është fjala për çështje si vizat, mundësinë e tregëtisë dhe në mbështetjen e Bashkimit Evropian në kontekstin e procesit të asociimit dhe stabilizimit. Është një mbështetje politike, por gjithashtu shumë konkrete, për autoritetet e Kosovës, por për popullin e Kosovës së pari.
Për Maqedoninë, Komisioneri Rehn rekomandoi filimin e negociatave të anëtarësimit, por ai i kërkoi këtij vendi të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. Çfarë do të thotë kjo, do t'i fillojnë negociatat dhe ndërkohë ta zgjidhin këtë çështje?
- Siç e thoni ju me të drejtë ky është një rekomandim nga Komisioni Evropian. Pra, ne u rekomandojmë vendeve anëtare për të vendosur për hapjen e negociatave. Por, sigurisht, ky vendim duhet marrë nga të gjitha vendet anëtare, me një vendim unanim. Pse po e bëjmë këtë? E bëjmë për arsye se ka pasur një përparim serioz dhe punë serioze nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në një numër çështjesh, dhe kohët e fundit në një numër çështjesh delikate, si reforma e policisë, etj. Ata janë në rrugë të mbarë për plotësimin e kushteve. Ne patëm rastin ta vlerësojmë këtë sot dhe si rrjedhim ne rekomandojmë hapjen e negociatave. Çështja e emrit si e tillë nuk është një kusht për hapjen e negociatave. Nuk ka qenë gjatë katër këtyre katër viteve të fundit dhe nuk do të bëhet tani një kusht i ri. Megjithatë, është e qartë se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm një çështje ligjore, por edhe me një kuadër politik që duhet marrë parasysh. Dhe siç e thashë, vendimi politik nga vendet anëtare duhet marrë me unanimitet dhe ne e dijmë se çështja e emrit është shumë e ndjeshme. Prandaj ne shpresojmë se ky rekomandim nga Komisioni do të jetë një inkurajim për autoritetet në Shkup për të ecur përpara, të jenë konstruktivë në dialogun për zgjidhjen e çështjes së emrit, që mbetet e rëndësishme nga pikëpamja politike.
Po përsa i përket Greqisë? A po e inkurajoni edhe Greqinë për këtë çështje?
Ne i inkurajojmë të dyja palët si në çdo debat tjetër të këtij lloji. Ne mendojmë në fakt se perspektiva evropiane është një mjet për të zgjidhur çështje që i ndajnë ndonjëherë vendet kandidate, midis njera-tjetrës, ndonjëherë vende anëtare me vende të reja. Do t'i referohesha këtu debatit të dyanshëm midis Sllovenisë dhe Kroacisë. Dhe ne mendojmë se perspektiva evropiane është një lloj mënyre për t'i zgjidhur këto lloj problemesh, që nga njëherë janë shumë të vjetra.
BBC