English

Decentralizimi, çmimi i varësisë që po rritet

Shtetet e pavarura e sovrane nuk lejojnë dhe as nuk dëshirojnë këso decentralizimesh. Mbase, decentralizimi etnik që po i ngjan Kosovës është simptomë e një pavarësie që s'është me tamam e tillë, dhe e një shteti të kapur nga koalicioni i madh politikë-biznes-media, i cili zot e ka paranë

Nga Albin Kurti

"Decentralizimi është çmim për pavarësinë". Kështu arsyetojnë politikanë e zyrtarë të ndryshëm institucionesh. Mirëpo, jo vetëm kjo fjali, por asnjëra shprehje e kësaj fjalie nuk është e vërtetë. Ky decentralizim që po bëhet në Kosovë nuk është decentralizim, nuk është afrim i pushtetit te qytetari. Shtëpitë e shqiptarëve në Pasjak e Stanishor janë 2 kilometra afër qytetit të Gjilanit. Pas decentralizimit që i nxjerr ato nga komuna e Gjilanit, këto dy fshatra do ta kenë larg 27 kilometra ndërtesën e komunës së tyre të re të Artanës (ish Novobërdës). Zgjerimi si komunë i qytezës së Artanës bëhet deri në paralagjet e qytetit të Gjilanit. Shërbimet për qytetarët si administrata komunale, ambulanca, biblioteka, policia, zjarrfikësit, shkolla e mesme, tregu, gjykata e shumëçka tjetër, do të jenë dhjetëfish më larg. Pushteti i decentralizuar nuk iu afrohet as serbëve. Edhe banorëve të Koretishtës, Parallovës, Kufcës së Epërme etj., që rregullisht e lirisht vijnë në Gjilan, u largohet shumëfish qendra komunale tash kur bëhen pjesë e Artanës. Po ashtu, meqë strukturat paralele të Serbisë, të cilat ndodhen gjithandej ku ka serbë, nuk po shpërbëhen paraprakisht, decentralizimi i pushtetit të Gjilanit e Prishtinës për serbët do të thotë centralizim i pushtetit të Beogradit mbi ta. Megjithatë, decentralizimi është çmim për pavarësinë, thonë pushtetarët. Por, pse u dashka ne të paguajmë çmim për pavarësinë? A do të thotë kjo se pavarësia nuk na ka takuar dhe asaj duhet t'i gëzohemi si një mrekullie a dhurate? Dhe, a do të thotë kjo se nuk paskan mjaftuar 120.000 shqiptarë që i ka vrarë Serbia kur e okupoi Kosovën në vitet 1912-1913, se nuk paskan mjaftuar dhjetëra mijëra të tjerë të vrarë e qindra mijëra të dëbuar, burgosur e persekutuar përgjatë shekullit XX, deri te 12.000 të vrarët e luftës së fundit? Pra, nëse iu bindemi këtyre pushtetarëve tanë, ne po e pranojmë që Kosova i është marrur Serbisë, e jo që Serbia e ka marrur Kosovën, dhe tash ajo u dashka të kompensohet ca për padrejtësinë që i është bërë. Pse Kosova të ndjehet me borxh ndaj Serbisë kur, në të vërtetë, Serbia është ajo që na ka borxh neve? Ata që na e theksojnë se decentralizimi është çmim për pavarësinë, nuk arrijnë të na e shpjegojnë pse ky farë çmimi duhet të paguhet në Anamoravë. Thjesht, pse jo diku tjetër? Me 30 nëntor 2005, gazeta beogradase Danas, i paraqiti planet e Dobrica Qosiqit, Aleksandar Despiqit, Branislav Krstiqit, Dushan Batakoviqit, e deri te planet e Zoran Gjingjiqit, Nebojsha Çoviqit e Boris Tadiqit, për krijimin e dy entiteteve përbrenda Kosovës: njërit shqiptar e tjetrit serb. Decentralizimi potencohet në këto plane si mënyrë për kantonizim dhe në të gjitha hartat e publikuara shihet se ato e kanë në shënjestër Anamoravën. Pra, decentralizimi në rajonin e Gjilanit nuk është kurrfarë çmimi për pavarësinë, por vazhdim i projekteve të Serbisë në Kosovë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Realizimin e decentralizimit në Kosovë Serbia do ta ndihmojë me kuadro dhe buxhet. Grantet nga Serbia, që janë të kufizuara në fushëveprim por jo edhe në sasi, do të paguhen drejtpërdrejt nga buxheti i Serbisë në atë komunal. Përveç të hyrave vetanake (tatimet në pronë, taksat e regjistrimit të afarizmit, liçencimi i tyre, liçencimi i veturave etj.), kompetencat shtesë të komunave të reja, do t'i financojë buxheti i Kosovës. Pasi që qytetarët e Kosovës kurrë nuk u pyetën dhe nuk u lejuan të deklarohen për decentralizimin me referendum, tash buxheti i Kosovës i sajuar nga kontributet e qytetarëve do të përdoret për ta financuar decentralizimin që i dëmton ata. Përderisa të rriturit ndahen në baza etnike përmes policisë, gjyqësisë e administratës, në këto komuna fëmijët dhe të rinjtë nëpër shkolla do t'i kenë planprogramet e Serbisë, kurse fëmijët serbë nuk e kanë të obliguar ta mësojnë gjuhën shqipe. Arsimi nëpër komunat e reja me shumicë serbe, ku mësohet një histori e kundërt prej pjesës tjetër të Kosovës, e farkon brezin e ardhshëm të serbëve për konflikte të reja me shqiptarët. Ja, pra, se si i kontribuon decentralizimi paqes e stabilitetit me të cilin na i shurdhuan veshët burokratët ndërkombëtarë. Cilindo shtet normal, demokratik e të zhvilluar, një këso decentralizimi mbi parimin etnik do ta shpërbënte. E, të mendosh që me këtë decentralizim Kosova do të bëhet shtet i pavarur me gjithë mend, është absurde. Shtetet e pavarura e sovrane nuk lejojnë dhe as nuk dëshirojnë këso decentralizimesh. Mbase, decentralizimi etnik që po i ngjan Kosovës është simptomë e një pavarësie që s'është me tamam e tillë, dhe e një shteti të kapur nga koalicioni i madh politikë-biznes-media, i cili zot e ka paranë. Decentralizimi nuk po ndodh meqë tash së voni u pavarësuam e as për t'u pavarësuar plotësisht së shpejti. Decentralizimi po ndodh sepse nuk jemi të pavarur. Decentralizimi është çmimi i varësisë që po rritet.

Marrë nga "Express", titulli i origjinalit: Decentralizimi si çmim?

KOMENTE