Tiranë, 16 tetor NOA - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i ka dërguar sot një letër urimi Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, me rastin e emërimit në detyrë.
"Dëshiroj t'ju përgëzoj me rastin e marrjes së detyrës si Ministri i ri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.
Gjatë mandatit tuaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shqipëria përmbushi një synim të kahershëm të politikës së saj të jashtme, duke u anëtarësuar në NATO.
Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t'ju përgëzuar për kontributin tuaj në këtë arritje kaq të rëndësishme" thuhej në letrën e Rasmussen dërguar ministrit të Brendshme, Lulëzim Basha. "Tashmë vendi juaj është anëtar i plotë i një organizate sigurie, me një reputacion të pashoq në çështjet ndërkombëtare, një organizatë e cila mbledh së bashku një komunitet vendesh demokratike të zonës së Atlantikut të Veriut nëpërmjet angazhimit të saj për t'i dalë zot dhe për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Jam i sigurt se edhe në pozicionin tuaj të ri, ju do të vazhdoni të punoni për këto vlera. Dëshiroj t'ju dërgoj urimet e mia më të mira për suksese në detyrën tuaj të re" përfundon letrën e tij Rasmussen.
k.k/NOA