Tiranë, 16 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja ka dalë sot në një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës ka bërë të ditur numrin e madh të familjeve që jetojnë në varfëri të plotë në Shqipëri.
Duke marr shkas nga dita botërore e çrrënjosjes së varfërisë e cila është nesër me 1 nëntor, Beqja ka deklaruar se 90 mijë familje jetojnë me më pak se 10 dollarë në muaj për frymë.
"Në vigjilje të 17 tetorit, ditës botërore të çrrënjosjes së varfërisë, familjet e varfra shqiptare vazhdojnë të jenë më të varfra se 1 vit më parë. Të vetmet familje që janë pasuruar janë familja e kryeministrit dhe e oborrtarëve të tij" tha Beqja.
"Ne përcjellim sot këtë shqetësim në vëmendje të opinionit publik sepse edhe nesër,
90 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk e shtyjnë dot me 10 dollarë në muaj për frymë që marrin nga qeveria e Sali Berishës dhe Ilir Metës, 10 mijë kryefamiljarë që marrin pagesë papunësie nuk e shtyjnë dot muajin me më pak se 1 dollar në ditë për frymë që marrin nga qeveria e Sali Berishës dhe Ilir Metës, 5 mijë kryefamiljarë që marrin trajtim të veçantë të ish minatorit nuk e shtyjnë dot muajin me më pak se 1 dollar në ditë për frymë që marrin nga qeveria e Sali Berishës dhe Ilir Metës" tha më tej Beqja.
Sipas tij, këto janë familjet që i ndjejnë direkt pasojat e politikave të mbrapshta të Sali Berishës, i cili nën verbërinë dhe shurdhërinë e etheve elektorale shkatërroi financat publike të vendit dhe sot në vend prodhohet pak apo shumë pak, ndërsa zhvleftësimi i lekut me të paktën 10 % është një taksë e re e fshehtë që po paguajnë më së shumti familjet e varfra.
"Partia Socialiste do të vazhdojë të qëndrojë në krah të familjeve të varfra.
Do të mbështesë ato, do të jetë përçuese e zërit dhe interesave të tyre.
Këto janë arsye më shumë që shqiptarët duhet të protestojnë edhe sot pas ditë në Berat, edhe në sheshet e qyteteve të tjera të Shqipërisë në ditët e ardhshme" përfundoi Beqja.
k.k/NOA