Vjenë, 17 Tetor NOA - Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës njëditore në Austri, ku referoi në konferencën "Bota në vitin 2025", zhvilloi një sërë takimesh me personalitete evropiane, si dhe ishte i ftuar nderi në darkën zyrtare, ku morën pjesë personalitetet më të shquara pjesëmarrës në këtë konferencë.
Kështu Berisha zhvilloi një takim të përzemërt me Joseph Daul, kryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, i cili e përgëzoi për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave themelore për integrimin e vendit dhe vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend.
Kryeministri e njohu z.Daul me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt përmbushjes së standardeve dhe kritereve te nevojshme për integrimin e vendit në BE, si dhe me vlerësimet e rëndësishme Komisionit Evropian në Progres-Raportin për Shqipërinë gjatë vitit 2009, i cili në vizionin e Berishës, do të shërbejë si një road-map për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit evropian.
Gjithashtu Kryeministri shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar mbështetjen e grupit të Partive Popullore Evropiane për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe për nxitjen dhe suportin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryeministri në mbyllje të vizitës së tij në Austri, ishte i ftuar në tavolinën e nderit të darkës zyrtare, ku ndodhej i ulur pranë me Presidentin e Parlamentit Evropian Jerzy Buzek, me të cilin pati rastin për të diskutuar gjerësisht dhe për ta njohur me zhvillimet e rëndësishme në Shqipëri, me realizimin dhe arritjet e reformave në fushën ekonomike, politike dhe sociale në vend, me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të plotësuar me prioritet të gjitha standardet dhe kërkesat për liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria.
Zoti Buzek shprehu vlerësimet e tij të larta për arritjet dhe sukseset që kishte bërë të mundur qeveria shqiptare në këto vitet e fundit, në implementimin e reformave themelore për integrimin dhe zhvillimin e vendit.
Ai i shprehu urimet e tij më të sinqerta Kryeministrit Berisha për rizgjedhjen e tij në këtë post, si dhe pranoi me kënaqësi ftesën që Berisha i drejtoi për të vizituar Shqipërinë.
z.r/f.sh/NOA