Tiranë, 17 tetor NOA-Sikundër po ndodh me dy vendimet e PS për bojkotin e parlamentit dhe zgjedhjeve të pjesshme lokale të 15 nëntorit, edhe çështja e kufirit detar me Greqinë ka hasur në debate dhe kundërshti brenda të majtëve.
Ndërsa Rama dhe shtatë parti të tjera e kanë ankimuar marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë në Gjykatën Kushtetuese, anëtari i Asamblesë së PS, Ylli Manjani ka deklaruar të shtunën se marrëveshja nuk ka probleme juridike, duke e nxjerrë jashtë loje lëvizjen e fundit të PS për këtë çështje.
"Kjo marrëveshje nuk ka probleme juridike dhe ankimi i PS-së në Gjykatën Kushtetuese sipas mendimit tim është i kotë.
Nënshkrimi i saj ka qenë transparent dhe e tipit politik, prandaj edhe instrumenti i përdorur nga PS duhet të ishte i tillë", u shpreh Manjani për mediat.
Sipas tij, PS është kthyer në një zyrë avokatie të problemeve të gjithçkaje që ndodh në këtë vend.
m.i/NOA