Fier, 17 tetor NOA - Dy djem të ekzaltuar ndoshta nga përpjekja për të shijuar rininë dhe imituar personazhet e filmave aventureskë, kanë "marrë" qytetin e Fierit për pak minuta duke u ndjerë "pronarë" të rrugëve që i përshkonin me shpejtësi marramendëse dhe krijuar klimë pasigurie.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e sotme dhe u konkludua në orën 06.00 kur u krye arrestimi i 24-vjeçarit Bledar Gjergjaj dhe Genti Gjergjaj, 31 vjeçar, që të dy, lindur dhe banues në Fier.
Policia sqaroi për agjencinë NOA se arrestimi i dy djemve u bë për disa vepra penale dhe ndaj tyre, u ngrit një "mal" me akuza: "Kundërshtim i punonjësit të policisë së Rendit Publik", "Mosbindje të Urdhrit të punonjësit të Rendit Publik", "Drejtim i automjetit në gjendje te dehur", dhe "Prishje e rendit dhe qetësisë publike".
Gjithçka ka nisur në orët e para të ditës së Shtunë. Bledari dhe Genti, kanë dalë nga një lokal ku kishin konsumuar goxha alkool dhe kanë marrë makinën e tyre me targa të huaja, një "Chrysler" duke lëvizur me shpejtësi të lartë nëpër qytet.
"Dy të rinjtë fierakë, kanë qenë duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin me targë GYK 3407 dhe kanë përshkuar rrugët e qytetit te Fierit me shpejtësi tej normave të lejuara të shoqëruara këto dhe me sjellje arrogante duke prishur kështu rendin dhe qetësinë publike", - detajoi policia.
Për më tepër, dy të rinjtë, as që i kanë ndaluar patrullave policore dhe më pas kanë kundërshtuar forcërisht patrullën e shërbimit të Punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor".
E gjithë "lufta" e dy djemve në delir, me policinë, ka përfunduar me "fitoren" e uniformave blu që gjithsesi i vunë prangat Bledarit dhe Gentit duke bërë që ata të "shijojnë" nga mëngjesi i sotëm, muret e ftohta të qelive të paraburgimit në drejtorinë policore të Fierit.
e.n/f.sh/NOA