Uashington, 17 tetor, NOA - Këshilli i Kombeve të Bashkuara ka pranuar se në Rripin e Gazës është ushtruar dhunë, në raportin e fundit përmes të cilit akuzon Izraelin dhe palestinezët për krime lufte gjatë konfliktit në Gaza një vit më parë.
Raporti në fjalë akuzon si Izraelin, ashtu edhe grupin militant palestinez, Hamas, për krime lufte, ndërsa gjykatësi Richard Goldstone, i cili është edhe hartuesi i tij u ka kërkuar të dyja palëve që të kryejnë hetime të besueshme për rastin.
Ai sugjeron referimin e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare Penale nëse kjo nuk ndodh.
Votimi u komplikua nga fakti se nuk votua vetëm për raportin, por dhe për një rezolutë të mbështetur nga palestinezët, e cila kritikonte Izraelin dhe anashkalonte Hamasin.
Izraeli ka bërë një fushatë intensive lobimi kundër votimit.
Pas dy ditë debatesh, Këshilli votoi sot në Gjenevë me 25 vota pro dhe 6 kundër, në favor të rezolutës që mbështet raportin. 11 vende abstenuan.
Raporti u bën thirrje të dyja palëve të kryejnë hetime për krime lufte brenda gjashtë muajsh. Përndryshe çështja do t'i kalojë për shqyrtim gjykatës së Hagës.
Në raport thuhet gjithashtu se Izraeli dështoi te merrte masa për të mbrojtur civilët gjatë konfliktit. Edhe Hamasi hodhi raketa në Izrael, duke vrarë civilë. Izraeli dhe Hamasi i mohojnë akuzat për krime lufte.
Nga ana e tyre, zyrtarët palestinezë e mirëpritën rezolutën, duke thënë se shpresojnë që me këtë çështje të merret Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Hamasi tha se shpreson që rezoluta do të çojë drejt një gjyqi ndaj udhëheqësve izraelitë.
n.e/NOA