Prishtinë, 17 tetor, NOA - Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë për demarkacionin e plotë dhe përfundimtar të kufirit të tyre të përbashkët është hap historik, i cili e përmirëson stabilitetin rajonal.
Një fakt të tillë e ka pohuar përfaqësia ndërkombëtare në Prishtinë dhe Maqedoni, sipas së cilës ajo në vetvete paraqet një arritje historike, e cila do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
 "I përgëzoj qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë për marrëveshjen për demarkacionin e kufirit. Në cilësinë e PCN-së në Kosovë dua të përgëzoj kryeministrin Hashim Thaçi për rolin e tij të rëndësishëm në këtë proces. Ata e kanë përfunduar punën e tyre në kuadër të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS)", u shpreh Feith, përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith.
Por edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup e ka përshëndetur "marrëveshjen dypalëshe ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës për përfundimin e demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve. Në njoftim thuhet se "udhëheqësitë e dy vendeve kanë treguar vendosmëri të madhe dhe kanë bërë hap të rëndësishëm në drejtim të sigurimit të stabilitetit në rajon". "Ne e presim vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve", thuhet në komunikatën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shkup.
n.e/NOA