Prishtinë, 18 tetor NOA-Fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë që në ditët e para të hapjes së saj është karakterizuar nga akuza e kundërakuza të ndërsjella mes kaheve të politikës.
Një prej tyre, kreu i AAK, Ramush Haradinaj nuk ka kursyer kryeministrin Hashim Thaçi duke e cilësuar qeverinë e tij si qeveri të klaneve dhe të grupeve të interesit.
"Ju duhet të dilni në votime më 15 nëntor, që t'i thoni jo qeverisë së klaneve dhe të grupeve të interesit", ka thënë Haradinaj gjatë fushatës zgjedhore në qytetin e Ferizajt.
Duke u marrë me shumë me qeverinë qendrore sesa atë lokale, zyrtarët e AAK-së janë shprehur të shqetësuar me të ardhmen e Kosovës.
"Jemi të shqetësuar me themelet që po i vihen shtetit të Kosovës", ka thënë këshilltari i Haradinajt, Steven Schook - i cili njëherësh i ka ftuar qytetarët që ta mbështesin AAK-në nëse e duan Kosovën.
m.i/NOA