English

Korçë, vret fqinjin me çifte, policia në kërkim të autorit

Korçë, 18 tetor NOA - Policia e Korçës prej 24 orësh është vënë në ndjekje të autorit të vrasjes së 45-vjeçarit Reshat Adri, që ndodhi mbrëmë në fshatin Podgorie të Korçës.

Megjithë postblloqet e ngritura dhe kërkimet intensive, policia nuk ka mundur të "nuhasë" gjurmët e autorit emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.

Vrasja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00 pas një sherri për motive banale mes fqinjëve.

Sipas policisë një lopë e familjes Adri ka hyrë aksidentalisht për të kullotur në pronën e fqinjit.

Bariu i lopës i cili ishte djali i familjes Adri është sulmuar me fjalë nga moshatari, djali i fqinjit.

Pas zënkës së fëmijëve, sherri ka vazhduar te prindërit e tyre të cilët pasdite vonë duket se e mbyllën sherri, por në fakt ata kanë vazhduar edhe më tej pas disa orësh pushim.

Në sherr e sipër, fqinji i 45-vjecarit, ka marrë një çifte dhe e ka qëlluar atë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas vrasjes autori është larguar me shpejtësi duke u shpëtuar prangave.

Policia ka nisur kërkimet për kapjen e autorit të krimit po ende nuk ka rënë në gjurmët e tij.

k.k/NOA

KOMENTE