Korçë, 18 tetor NOA - Policia e Korçës ka publikuar sot disa detaje nga hetimi mbi ngjarjen e ndodhur një natë më parë në fshatin Podgorie, ku mbeti i vrarë një banor vendas.
Korrespondentja e agjencisë NOA informon se nga hetimi i kryer, rezulton se viktima është 68 vjeçar, Reshit Adri, lindur e banues në Podgorie.
I vetmi i dyshuar si autor i krimit, është Ismail Goroveci i moshës rreth 50 vjeç, banor po i fshatit Podgorie.
Nga hetimet e kryera doli se i dyshuari ka hapur zjarr me armë gjahu duke i marrë jetën 68-vjeçarit Adri.
Mësohet se gjithçka ka nisur pasditen e së Shtunës, pak orë pas një konflikti për motive të dobëta mes viktimës dhe autorit.
Në orët e mbrëmjes, Ismail Goroveci ka shkuar në banesën e viktimës Adri, duke u konfrontuar me të.
Në këtë moment viktima ka dalë jashtë shtëpisë së bashku me djalin e tij dhe kanë goditur Ismailin, i cili ka qenë i shoqëruar nga vëllai i tij Shefqet Goroveci.
Në konflikt e sipër Ismail Goroveci ka qëlluar me armën e gjahut, të cilën e kishte marrë me vete, duke vrare bashkëfshatarin e tij.
Menjëherë më pas ka braktisur armën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas marrjes së informacionit, janë angazhuar efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë.
Në orët e para të ditës së Diel, policia konfirmoi se ka bërë të mundur kapjen e autorit të ngjarjes Ismail Goroveci, i cili ishte strehuar në një banesë, disa kilometra larg vendit të krimit.
Sakaq, është bllokuar arma e krimit që ka pasur Ismail Goroveci si dhe arma e gjahut e Shefqet Gorovecit, i cili po ashtu e kishte me vete në momentin e konfliktit.
Policia nga hetimit ka sqaruar se Ismail Goroveci ka përdorur armën e tij duke hapur zjarr në drejtim të fqinjit, kurse vëllai i tij Shefqeti, nuk e ka nxjerrë armën nga supet.
Ndërkohë hetimet janë thelluar dhe për shkaqet e vrasjes, që paraprakisht shihen të jenë banale, nën motive pronësie.
Dyshohet se gjithçka nisi për një lopë të familjes Adri, e cila u shndërrua në "mollë sherri" mes dy familjeve fqinje, pasi gjedhi kishte hyrë në kullotën e fqinjit.
a.f/f.sh/NOA