English

Ambasadori Gjerman: Heqim vizat për shqiptarët nëse qeveria juaj plotëson 5 pika

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 19 tetor NOA- Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Boschardt zbeh optimizmin dhe shpresat e qeverisë shqiptare për liberalizim vizash në vitin 2010 duke deklaruar se një gjë e tillë do të jetë e mundur vetëm nëse plotësohen disa pika.

Duke folur sot mbi këtë argument, zoti Boschardt ka përcaktuar disa nga fushat në të cilat Shqipëria duhet të bëjë përmirësime të dukshme, probleme të cilat janë evidentuar edhe në Progres-Raportin e publikuar pak ditë më parë.

Sipas tij procedura që mund të ndiqet për Shqipërinë, mund t'i ngjajë rastit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), proces i cili kërkoi kohë për t'u miratuar nga vendet anëtare.Â

"Shqipëria duhet të bëjë më shumë në drejtim të kontrollit të kufijve apo në pajisen e qytetarëve me pasaporta biometrike, të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar si dhe të reduktojë dukurinë e pastrimit të parave. Komisioni do të bëjë rekomandim për liberalizimin e vizave vëren e vitit 2010"- thotë ambasadori, duke renditur kështu pesë pikat-kushte.

Sipas z. Boschardt, Komisioni Evropian, do të bëjë një rekomandim në verën e 2010-ës dhe më pas vendet anëtare do të vendosin.

"Por t'i referohemi rastit të Maqedonisë, ky proces u mbyll në mos gaboj në nëntor, besoj edhe për Shqipërinë do të ndiqet e njëjta skemë"- shprehet Borschardt.

Ndërsa lidhur me aplikimin e Shqipërisë, për të përfituar statusin e vendit kandidat për në BE, ambasadori u shpreh se Gjermania nuk ka kundërshtim, ndaj këtij procesi. Sipas tij janë çështje teknike dhe jo politike, ato të cilat shtynë shqyrtimin e kërkesës.

"Teknikisht funksionon që Bashkimi Evropian do të kërkojë më shumë detaje për reformat e kryera në vend. Kjo analizë do të marrë të paktën një vit kohë. Ne patëm problemet tona të brendshme, duhet të presim konstituimin e parlamentit tonë dhe më pas do të marrim edhe një vendim për Shqipërinë. Por nuk ka asnjë rezistencë gjermane kundrejt kësaj kërkese", - ka sqaruar z. Boschardt.

Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Por deri më tani nuk ka asnjë datë konkrete se kur do të jetë seanca e parë e shqyrtimit të kësaj kërkese.

r.l/f.sh/NOA

KOMENTE