Trevizo, 19 tetor, NOA - Një operacion i fuqishëm policor, është zhvilluar sot në provincat e Trevizos dhe Venecias në Itali, ku mësohet se si rezultat i tij janë prangosur disa të huaj që vinin nga vendet e Ballkanit.
Ende nuk dihet nëse mes të arrestuarve kishte edhe shqiptarë, por lloji i trafikut që ata kryenin, sipas forcave policore, nuk mund të ketë lënë të papërfshirë edhe Shqipërinë si kanal, e në këtë mënyrë, mes arresteve të kryera, nuk është çudi të dalë edhe emri i ndonjë shqiptari.
Sipas të dhënave paraprake nga policia italiane mbi aksionin në fjalë, të arrestuarit akuzohen për trafik droge dhe prostitucioni nga vendet e Ballkanit drejt Italisë.
Operacioni i skuadrës së lëvizshme të Trevizos, është fryt i disa muaj hetimesh që kanë zbuluar një kanal të trafikut të kokainës nga vendet e Ballkanit drejt Italisë. Nder veprimtaritë e tjera të anëtarëve të organizatës së paligjshme ishte edhe trafikimi i grave të reja për qëllime prostitucioni.
n.e/NOA
Â