Tuz, 19 tetor, NOA - Mali i Zi do ta mbështesë nismën e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës nga India në Shqipëri.
Një fakt të tillë e ka bërë të ditur përmes një deklarate gjatë një aktiviteti në Tuz, ministri Ferhat Dinosha, i Pakicave në Malin e Zi.
"Përshëndesim nismën e kryeministrit shqiptar Berisha për të kthyer eshtrat e Nënë Terezës në Shqipëri. Mali i Zi do ta mbështesë atë në realizimin e kësaj nisme", mësohet të jetë shprehur Dinosha në një aktivitet me rastin e përkujtimit të lumturimit të përfaqësueses së madhe shqiptare në mbarë botën.
Deklarata e tij mbështetëse bëhet në një kohë kur nisma e kryeministrit Berisha ka patur një përgjigje negative nga autoritetet indiane, sipas të cilave, Nëna Terezë ka nënshtetësi indiane dhe prandaj meriton të prehet në tokën e tyre.
Por duket se faktori shqiptar është i interesuar që ta sjellë atë sa më afër tokës së tij, e duket se nisma e deklaruar fillimisht nga kryeministri Berisha po gjen mbështetje edhe nga pranitë e tjera shqiptare në rajon, siç është rasti në fjalë, ai i pakicës në Malin e Zi.
n.e/NOA