Uashington, 19 tetor, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një deklarate të bërë publike nga Departamenti amerikan i Shtetit kanë përshëndetur sot vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, si edhe përcaktimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.
"Shtetet e Bashkuara e përshëndesin ngrohtësisht vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, si dhe përfundimin me sukses të demarkacionit të vijës së përbashkët kufitare", thuhet në lajmin e publikuar nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ian Keli. Sipas tij, SHBA u shpreh mirënjohje dy vendeve për vendosmërinë në marrjen e hapit të rëndësishëm në drejtim të integrimeve euroatlantike, vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, duke forcuar stabilitetin në rajon.
Marrdhëniet diplomatike mes dy vendeve të Ballkanit u mundësuan të zyrtarizohen pas finalizimit të çështjes së caktimit të kufijve, e cila kishte mbetur pezull prej kohësh dhe i pengonte ato.
Me arritjen e këtyre dy pakteve, pavarësisht kundërshtimeve dhe pengesave të ndeshura, sipas të cilave, Kosovës po i jepej një pjesë e territorit të Maqedonisë, palët e interesuara pro tyre arritën të argumentonin dhe të bindnin votuesit e tyre se marrëveshja "sjell stabilitet në rajon" dhe se "asnjë milimetër nuk është dhënë nga toka e Maqedonisë".
n.e/NOA