English

A e meriton Shqipëria Nënë Terezën?

"Ndër njerëz habia më e madhe është fakti se çfarë bëri kjo grua për Shqipërinë dhe shqiptarët! Apo vetë fakti se ajo punoi për nevojat e veta? Por në të vërtetë nuk është fare kështu"

Eljan Tanini*

Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhënë një nënë kaq të madhe, dhe nëse është e vërtetë kjo që ka thënë Kardinali Paskal, atëherë a e meritojmë ne një grua të tillë? Kur të tjerët e donin Nënë Terezën, ne heshtnim. Kur ajo na donte, ne përsëri heshtnim. Kur ajo përsëri shfaqte dëshirën për vendin e saj, ne përsëri nuk e donim. Kur ajo donte të puthte të paktën tokën e saj, na thanë që ta pranojmë. Ndërsa sot, kur bëjmë sikur e duam, ngjisemi nga emri i saj për të thënë se ajo është më shumë shqiptare. Po aq sa e përmendim rëndshëm ndër të huaj se ajo ka një origjinë vetëm shqiptare. Kur na e lyp nevoja, i bëjmë edhe ndonjë bust të shëmtuar për ta vënë në rrëzë të Korpusit në Tiranë, edhe një bust në Shkodër; po aq sa edhe emrat e institucioneve dhe një statujë tjetër në gjendje më të mirë në aeroportin ndërkombëtar me po të njëjtin emër. Por a e meritojmë në të vërtetë ne Nënë Terezën? Ajo në fakt është si mendimi i Sokratit, qytetare e gjithë botës, dhe bijë e dheut që vetë ka shkelur. Rëndësia e marrjes së identitetit të figurës së saj, është thjesht çështje gishti tregues se ajo është e jona apo e tyre.

Ndër njerëz habia më e madhe është fakti se çfarë bëri kjo grua për Shqipërinë dhe shqiptarët! Apo vetë fakti se ajo punoi për nevojat e veta? Por në të vërtetë nuk është fare kështu. Çdo dëshire të heronjve që mbartin kombet kanë edhe fjalë negative për ta. Ajo që më çudit ndër ne dhe për këtë figurë është se e shohim më shumë si një ditë pushimi, si një ditë kishe, apo një mendim më shqiptarizues se edhe Shqipëria ka figura të tilla. Mos vallë Nënë Tereza nuk duhet parë si gëzim i kombit? Mos duhet të gëzohemi më shumë kur kombëtarja jonë shënon gol me Greqinë, apo për shenjtërimin e saj? Apo edhe për një skulpturë super të shëmtuar vendosur në cep të Korpusit në Tiranë. Edhe kjo me shqetëson. Ku i kishte sytë komuniteti katolik që e pranoi një skulpturë të tillë, me dorën më të madhe se fytyra, apo në faktin se a kane çuar andej në cep? Mos ndoshta u interesonte më shumë vënia e shtatores? Të paktën të pranonin skulpturën dhe mos ta çonin nëpër cepa. Këto janë fakte, sado të vogla që më bëjnë të mendoj se e duam edhe përciptazi këtë figurë kaq pozitive.

Flasim për madhështi të kombit tonë, për figura madhështore që u kemi dhënë fqinjëve, por asnjëherë nuk kemi ditur të nderojmë ashtu siç duhet figurat tona të para. Gjithmonë do tu gjejmë ndonjë simbol shkatërrimi. Dhe guxojmë përsëri e mendojmë apo propozojmë se eshtrat e Nënës Terezë, duhet të vijnë në Shqipëri! Fundja bëjmë edhe një muzeum në Shkodër, për tu treguar maqedonasve se e kemi edhe ne një të tillë. Ndoshta ne nuk i meritojmë eshtrat e saja, ose ndoshta na duhen të jenë këtu për kohën e gjatë të vuajtjes nën 45 vite diktaturë; si simbol i humanizmit. Por ndoshta ka palë të tjera që me siguri nuk do ta duan këtë duke thënë që ç'punë ka Nëna Tereza të tregojë simbolin e vuajtjeve nën diktaturë, së bashku me këtë të shqiptarëve dhe të gjithë botës. Por edhe nëse ajo do të ishte në ndonjë varrezë të figurave të shquara shqiptare, përsëri ka shumë gjasa që varrit të saj ti heqim ndonjë copë mermer, ta shkarravisim me sprajt, e shume injorantllëqe të tjera. Dhe kjo do te ishte një turp i madh për ne.

Nëse duan me kaq ngulm diçka nga Nëne Tereza, atëherë le të vetëmjaftohen me një diçka personale qe ajo mbante. Dhe më pas ta fusin në muzeum. Prandaj nuk e meritojmë imazhin e saj. Le të rri më mirë aty ku është. Ne nuk e kemi zgjidhur ende, në është e jona apo e Maqedonisë?! Ne nuk jemi komb për figurat tona, ai që mohon të shkuarën e tij, ka mohuar edhe të ardhmen apo edhe vetë ekzistencën e tij. Për Nënë Terezën përulet një botë e tërë, se sa rëndësi ka fakti se unë edhe ti përmendim se ajo është shqiptare kjo i takon një imazhi tjetër për vendin tonë dhe për vetë ne.

Le të flasin injorantët dhe lë të hedhin baltë mbi figurën e saj, pikërisht ata që e vlerësojnë gruan vetëm brenda katër mureve të shtëpisë. Respekti për gruan dhe nënën shqiptare duhet të fillojë nga Nënë Tereza. Ajo nuk është nocioni abstrakt i Nënës Shqipëri, por realja. Atëherë le të pimë me dy gjinj, të gjithë si ateistë apo si myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj, mormonë, protestantë, jehovaistë, bahaistë, apo edhe sektexhinj të tjerë. Shqiptarët kanë dy nëna. E duam emrin e saj sa herë që na e lyp nevoja, në të kundërt mirë e kemi në cepat tona.

Ndoshta ajo është i pari shenjt modern në dyshimet e saja për Zotin, prej nga ne nuk duhet ta shohim si marrëzi e fesë por si dëshirë e mirë e njeriut për njeriun, apo e vetësakrifikimit njerëzor pa mendësinë e Zotit apo thjeshtësinë e njeriut. Ndoshta është i pari shenjt modern, që çdo gjë bën sipas dëshirës, se të përqafosh lebrozin është dëshirë e zemrës dhe jo e medias.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE