Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 20 tetor NOA - Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim ankimimin e Avokatit të Popullit, lidhur me ligjin për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme.
Avokati ka ankimuar disa nene të këtij ligji, të cilat i japin kompetencë kryeregjistruesit të anulojë të drejtën e pronësisë.
Në argumentin e tij institucioni i Avokatit të Popullit shprehet se, kryeregjistruesi ka për detyrë të regjistrojë dhe jo të heqë të drejtën e pronësisë.
Në këtë rast thotë Artur Lazebeu, drejtor kabineti në AP kemi të bëjmë me tejkalim kompetencash, madje ndërhyrje edhe në të drejtën e pushtetit gjyqësorë.
Pranë avokatit kanë mbërritur shumë ankesa të subjekteve fizikë dhe juridike, të cilat shprehin shqetësim lidhur me vendimet administrative të marra nga hipoteka.
Ky shfuqizim i ligjit për regjistrimin e pasurive, së bashku me udhëzimin e Këshillit të Ministrave për fshirjen e regjistrimeve, në rast mbivendosje nga hipoteka janë cilësuar si antikushtetuese nga avokati ndaj kërkohet anulimi i tyre.
Por Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Avokatit të Popullit për të pezulluar këto nene të ligjit dhe udhëzimin deri në marrjen e një vendimi nga kjo gjykatë. Institucioni më i lartë gjyqësorë pritet që në ditët në vazhdim të marrë vendim lidhur me ankimimin.
Ndërsa qeveria argumenton se ndryshimet ligjore janë ndërmarrë për të verifikuar ligjshmërinë e dhënies së titujve të pronësisë dhe për t'i dhënë fund abuzimeve të kryera në vite me pronat, kur për një pasuri rezultojnë deri në 6 pronarë.
Sot të drejtën për të anuluar pronësinë e ka Prefekti, Agjencia e Pronave si dhe Hipoteka. Vendimet e tre këtyre institucioneve janë të ankimueshme në gjykatë, çka do të thotë zgjatje pafund e procesit.
r.l/NOA