Tiranë, 20 tetor NOA-Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 66.3 milionë lekë gjithsej dy kompani biznesi në tregun e grurit për shkak të konkurrencës së pandershme në aktivitetin e tyre.
Kontrollet i referohen periudhës së rritjes së çmimit të bukës gjatë vitit 2008, i cili shqetësoi një masë të madhe të opinionit publik që prekej direkt nga ky vendim i biznesit të grurit.
"Nga hetimi rezultoi se ndërmarrjet në fjalë, nuk kanë konkurruar në tregun importit të grurit dhe prodhimit të miellit.
Këto ndërmarrje kanë koordinuar sjelljen për sa i përket përcaktimit të çmimeve të tregtimit të produkteve përkatëse, si dhe kanë ndarë burimet e furnizimit. Si pasojë e kësaj sjelljeje, këto ndërmarrje kanë aplikuar çmime të njëjta të shitjes së grurit për prodhimin e bukës", thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Sipas ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës" kjo marrëveshje është e ndaluar pasi pengon dhe kufizon konkurrencën e lirë dhe efektive në treg.
Autoriteti shpjegon se marrëveshja e ndaluar është horizontale, pasi ndërmarrjet së bashku veprojnë në të njëjtin nivel tregu (në tregun e importit të grurit për bukë), dhe për shkak të integrimit vertikal të tyre, ka sjellë pasoja në tregun e shitjes së grurit dhe të prodhimit e shitjes së miellit për prodhimin e bukës.
Në mënyrë që të nxitet konkurrenca e lirë dhe efektive në tregun e importit të miellit dhe prodhimit të bukës, Komisioni i ka rekomanduar Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të rishikojnë praktikat e çmimeve të referencës si dhe të rivlerësimeve tatimore në tregun e importit të grurit, për efektet e mundshme që mund të sjellin në kufizimin e konkurrencës në treg.
m.i/NOA
Â
Â
Â