English

Kriza në Bosnjë, BE-SHBA, edhe sot takim me drejtuesit politikë

Sarajevë, 20 tetor, NOA - Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë sërish sot një takim me drejtuesit e Bosnjë-Hercegovinës, siç bënë pak ditë më parë, për të dhënë direktivat e tyre mbi zgjidhjen e krizës në këtë vend dhe përshpejtimin e reformave të ngecura në vend.

Bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në kampin ushtarak Butmir, afër Sarajevës, por nuk ka shumë shpresa për arritjen e një marrëveshjeje mbi ndryshimet e kërkuara kushtetuese.

Kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka thënë dja se ka hedhur poshtë gjithë pakon e ndryshimeve kushtetuese, e cila është ofruar nga zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë. "Nuk kemi pasur dilema dhe as hamendje për të refuzuar dhe për të thënë se është një ofertë joserioze, e cila do të mund ta dramatizonte situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe kjo nuk i kontribuon fare stabilizimit të situatës. Natyrisht, mbetemi të përkushtuar në bisedimet mbi temat e ndryshme dhe do të jemi në secilin takim që do të ftohemi për ta bërë të ditur qëndrimin tonë", ka thënë Dodik. Ashtu si edhe në takimin e para disa ditëve, takimin do ta kryesojë ministri i Jashtëm suedez, Karld Bildt vendi i të cilin kryeson aktualisht BE-në, dhe zëvendësi i sekretares amerikane të shtetit, Xhejms Stajnberg, por i pranishëm do të jetë edhe komisari evropian për Zgjerim, Olli Rehn. Ky i fundit ka deklaruar se refuzimi i pakos së Butmirit rrezikon perspektivën evropiane të Bosnjës. "Politikanët në Bosnjë e Hercegovinë duhet të jenë të vetëdijshëm se ky është një moment kyç për vendin. Nëse nuk do të ketë përparime në përmbushjen e kushteve për tranzicionin e Përfaqësuesit të Lartë, evoluimin kushtetues, me çka vendi do të përfitonte fillimisht kredibilitet për statusin e kandidatit, e pastaj anëtarësim të plotë, atëherë vendi rrezikon të mbetet në një formë të anëtarësimit të pjesshëm", ka thënë Ren përpara gazetarëve.

n.e/NOA

KOMENTE