Tiranë, 20 tetor NOA - Rikthehet sërish vëmendja e Shtetit te ligji anti-duhan.
Kësaj radhe ka qenë nisma e Ministrisë së Shëndetësisë e cila ka bërë publike edhe sloganin e nismës "Shqipëria pa duhan".
Inspektorati Sanitar Shtetëror ka ndërmarrë një aksion në rang kombëtar për zbatimin pa kompromis të ligjit "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit".
Pas urdhrit të fundit të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili një grup inspektorësh të drejtuar nga kryeinspektori Sanitar Shtetëror, Gazemend Bejtja dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli kanë verifikuar në terren zbatimin e këtij ligji.
Verifikimi ka nisur nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku janë vizituar shumë klinika dhe lokale që ndodheshin brenda territorit të kësaj qendre.
Inspektorët sanitare, që në daljet e tyre të para në terren janë përballur me jo pak raste të shkeljes së ligjit.
Ndërkohë që janë zbatuar masat paralajmëruese për shumë subjekte deri në gjoba financiare siç është rasti i pavijonit të konsultave kirurgjikale pranë qendrës spitalore "Nënë Tereza", ku është aplikuar dhe gjoba prej 50 mijë lekësh të reja për arsye se në ambiente mungonin shenja dalluese që ndalojnë konsumin e duhanit
"Shumë shpejt do të vendosen gjoba dhe masa të rënda ndëshkimore për të gjithë shkelësit e ligjit" tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.
"Inspektorati Sanitar ka pjesën e vet të përgjegjësisë, por kërkohet bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera që ligji të mirë funksionojë.
Gjithë armata jonë e inspektorëve duke filluar nga dita e sotme është në terren" tha kryeinspektori sanitar i Republikës, Gazmen Bejtja.
k.k/NOA