Prishtinë, 20 tetor NOA-Me miratimin dhe të presidentit të Maqedonisë, Gkorge Ivanov, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka dekretuar themelimin e Misionit diplomatik në nivel ambasade në Maqedoni.
Sipas njoftimit të zyrës së Presidencës, ky vendim është marrë pas një bisede telefonike që Sejdiu ka pasur me homologun e tij maqedonas.
Të dy presidentët kanë konstatuar se vendosja e marrëdhënieve diplomatike i hap udhë thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërshtetëror dhe përpjekjeve për integrim euroatlantik.
"Dekretimi për themelimin e Misionit diplomatik në nivel ambasade në Republikën e Maqedonisë është bërë duke u bazuar në nenin 84, pika 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 5, pika 1 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës si dhe pas konsultimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës", thuhet në një komunikatë shtypi të Presidencës.
Dekretimit për themelimin e Misionit diplomatik në nivel ambasade në Maqedoni i ka paraprirë edhe ratifikimi i marrëveshjes së nënshkruar mes Komisioneve qeveritare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë për demarkacionin fizik të kufirit ndërshtetëror.
m.i/NOA