Tiranë, 20 tetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti sot në një takim Presidentin dhe Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë Bankers Petroleum Ltd., Abby Badwi.
Në takim, Meta theksoi rëndësinë e madhe që kanë investimet e huaja në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
Në këtë kontekst, ai vlerësoi investimet që kompania kanadeze Bankers Petroleum Ltd ka kryer vitet e fundit, të cilat kapin shifrat e 200 milion dollarëve.
Gjithashtu, ministri i Jashtëm shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë biznesi më tërheqëse për investitorët kanadezë, jo vetëm në sektorin e hidrokrabureve, por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, në të cilat kompanitë kanadeze kanë rol udhëheqës në botë.
"Vizita e fundit e Kryetarit të Dhomës së Senatit Kanadez z. Noel Kinsella në Shqipëri është një shenjë pozitive për forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve" theksoi, Meta.
Nga ana e tij, Badwi vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.
Ai e informoi Metën mbi planet e zhvillimit dhe investimit të kompanisë Bankers Petroleum Ltd në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, me një vlerë totale projekti prej 400 milion USD, për 3 vitet e ardhshme.
Badwi theksoi në fund të takimit se potencialet ekonomike të Shqipërisë në sektorët e energjetikës,transportit, apo shërbimeve janë ftesë në të ardhmen e afërt për investitorët kanadezë.
k.k/NOA
Â