Tiranë, 20 tetor, NOA - Partia Demokratike ka dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve emrat e pesë kandidatëve që do të garojnë për kryetarë komunash dhe njësish bashkiake në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit.
Këto të fundit mbahen pasi 5 drejtues të njësive lokale u zgjodhën deputetë në parlamentin e ri në zgjedhjet e 28 qershorit dhe procesi i 15 nëntorit do të shërbejë pikërisht për zëvendësimin e tyre.
Sipas të dhënave të komunikuara nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, bëhet e ditur se kandidatët e paraqitur nga Partia Demokratike janë: Muharrem Hoxha për komunën e Otllakut, Ramazan Mjeshtri për komunën e Klosit, Alfred Qasa për komunën e Fushë-Arrëzit, Gjelosh Paplekaj për komunën e Fierzës dhe Blendi Fuga, për njësinë nr. 10 në kryeqytet, ku pritet të garojë për vendin e lënë nga deputeti Gerti Bogdani.
Fuga do të vihet përballë Gjergji Thumait të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë garë, pasi kjo parti e ka kandiduar atë nën siglën e saj për 15 nëntorin në këtë njësi bashkiake.
n.e/NOA