Debëllde, 20 tetor NOA-Fshati kufitar me Maqedoninë, Debëllde e cila i përket komunës së Vitisë në Kosovë në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjes së kufijve me Maqedoninë ka larguar sot gurët kufitarë.
Sipas tyre, 22 hektarë tokë, pronë e banorëve, me këtë marrëveshje ka mbetur në pjesën maqedonase.
Protestuesit kërkuan nga Qeveria e Kosovës, që të shqyrtojë kërkesat e banorëve për kthim të pronave dhe kompensimin e tyre që nuk i kanë shfrytëzuar për 9 vite me radhë, në të kundërtën paralajmëruan radikalizmin e veprimeve të tyre.
"Kodra e Furrës është e jona", "Nuk kemi tokë për të falur, "Haram u qoftë vota deputetëve të parlamentit", ishin disa nga pankartat që mbanin në duar banorët e fshatit kufitar Debëllde.
Në përkrahje të kërkesave të banorëve, foli edhe Hysen Durmishi, përfaqësues i lëvizjes "Vetëvendosje".
Debëllde dikur kishte rreth 72 shtëpi me 800 banorë, ndërsa tani në këtë fshat ka 34 shtëpi me rreth 400 banorë.