English

Shtypi në Shqipëri, Balla: Thellohet kontrolli i qeverisë ndaj medias

Tiranë, 20 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës është shprehur se liria e shtypit është cenuar.

"Partia Socialiste rishpreh qëndrimin e saj për cenimin dhe degradimin e lirisë së medias në vend. Renditja e Shqipërisë në raportin e "Reporterëve pa Kufij" për lirinë e shtypit, disa shkallë më poshtë nga 2008 në 2009, është një sinjal alarmi për cenimin e parimeve të demokracisë dhe lirisë së të shprehurit, gjë të cilën jo rrallë herë e kemi ngritur dhe e kemi evidentuar.

Shqipëria në këtë indeks të "Reporterëve pa Kufij" është renditur për vitin 2009 në vendin e 88, poshtë Ugandës, Mozambikut, apo Timorit Lindor, vende aspak demokratike dhe peng të luftërave civile" tha Balla.

Sipas Ballës në këtë raport mes të tjerash thuhet se kontrolli i qeverisë mbi median publike është i pakufizuar.

Pozicionet drejtuese në shtypin e lirë janë emërime politike dhe për këtë shkak mundësojnë linjë editoriale të njëanshme.

"Megjithëse mediat private kanë më shumë liri, përsëri ato nuk janë të mbrojtura nga shumëllojshmëria e formave të presionit.

Fatura të shtuara për shërbime publike, tërheqja e reklamave, ndryshimet e taksave e kaosi institucional janë armë ligjore për të promovuar autocensurën e cila është tashmë prezente në një numër shumë të madh të mediave. Raporti ndalet në disa raste të përdorimit të policisë kundër institucioneve të meidave sic ishte rasti i fillim vitit kundër gazetës "Tema" apo rasti i gjobës ndaj "Neës 24" të vendosur nga KKRT.

Pasiguria financiare e gazetarëve lidhet me mungesën e kuadrit ligjor në ushtrimin e profesionit, dhe i vendos gazetarët në mëshirën e arbitraritetit dhe thellon korrupsionin.

Shqipëria si vendi që u anëtarësua në NATO nën moton "this is a miracle of freedom" sot është kthyer në vendin ku cenohet thellësisht liria e mediave" përfundoi Balla.

k.k/NOA

KOMENTE