English

Sot 14 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës, familjarët protesta para gjykatës

Tiranë, 20 tetor, NOA - Duke mbajtur në duar parrullat "14 vjet në pritje të një varri", "A ka drejtësi në Shqipëri", "Ku e kam vëllain?" etj, familjarët e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha janë mbledhur sot paradite para mjediseve të Gjykatës së Krimeve të Rënda në shenjë proteste ndaj çështjes e cila nuk po gjen zgjidhje prej vitesh.

Kjo protestë zhvillohet në një ditë kur mbushen plot 14 vjet nga zhdukja e biznesmenit dhe që atëherë, ajo ende rezulton e pazbardhur për autoritetet e drejtësisë, megjithë seancat maratonë dhe procesin e zgjatur me vite me radhë.

"Ne si familje jemi shumë të zhgënjyer nga drejtësia, që kjo çështje është stërzgjatur. Ne presim nga kjo drejtësi që të paktën të gjejë trupin e babait tim", ka pohuar lidhur me një fakt të tillë, djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Ardian Hoxha.

Sipas tij, familjarët e Remzi Hoxhës ndihen të zhgënjyer pasi shteti nuk po tregon vëmendje ndaj kësaj çështje dhe shton se nëse nuk e gjejnë zgjidhjen prej tij, do të detyrohen të shkojnë në Strasburg.

"E kemi përmbajtur veten që mos ta turpërojmë shtetin shqiptar para botës se jemi shqiptarë, por kemi të bëjmë me të dashurin tonë dhe nuk do të ndalemi. Të na dorëzohen eshtrat e babait", ka qenë thirrja që ai në ditëne 14-vjetorit të babait u ka bërë autoriteteve të drejtësisë shqiptare. Â

Një fakt të tillë, do ta pohonte për mediat shqiptare edhe vëllai i Remziut, Nexhmedin Hoxha. "Neve na mungon Remziu dhe kjo ditë, na bën që të shprehim idndinjatën dhe zhgënjimet tona në këtë periudhë 14-vjeçare që nuk duam të përsëriten në asnjë mënyrë".

Duke shtuar se familjarët e të ndjerit kanë ende një shpresë se drejtësia do t'i shkojë deri në fund çështjes dhe nuk duan që të jenë të huajt ata që do ta zgjidhin atë, por vetë drejtësia shqiptare.

E ndërsa familjarët e Remzi Hoxhës janë duke protestuar para dyerve të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, brenda mjediseve të saj është duke u zhvilluar seanca e radhës për çështjen "Remzi Hoxha", ku sot do të pyeten disa dëshmitarë të tjerë mbi ngjarjen, përmes të cilëve pritet të zbardhen elementë të rinj rreth saj.

n.e/NOA

Â

KOMENTE