English

Tentojnë të rrëmbejnë studenten, policia e Shkodrës arreston dy të rinjtë autorë

Shkodër, 20 tetor NOA-Pas një dekade që nga koha kur rrëmbimet e vajzave ishin gjëja më e zakonshme në Shqipëri, ky problem shqetësues për shoqërinë është rikthyer sot, por fatmirësisht nuk ka mundur të realizohet skenari i frikshëm.

Ndryshe nga ato vite të vështira ku mijëra vajza u bënë "pre" e trafikimit pikërisht nga skenarë të tillë, këtë herë policia ka mundur të neutralizojë autorët e rrëmbimit, dy të rinj me origjinë nga Veriu, por me banim në Tiranë, të cilët kishin rrëmbyer me forcë një studente të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, duke e futur me dhunë në automjetin e tyre tip Audi A 8 me targa TR 6010 S.

Sipas komunikatës së policisë, Aleks Lala,vjeç 23, lindur ne fshatin Mnele te Komunes Vig-Mnele-Shkoder dhe banues ne Tirane dhe Emiljano Bushi, vjeç 24 , lindur ne Mirdite dhe banues ne Tirane janë autorët e rrëmbimit të studentes me iniciale M.M.

"Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur dhe kanë marrë forcërisht duke e hipur në automjetin tip Audi A 8 me targa TR 6010 S, në pronësi të shtetasit Aleks Lala, shtetasen M. M., vjeç 19 lindur dhe banuese në Mirditë, aktualisht studente pranë Universitetit "Luigj Gurakuqi", Shkodër, thuhet në komunikatën e policisë.

Sapo janë njoftuar, forcat e Policisë organizuan punën duke kapur në flagrancë autorët në kohën që po largoheshin me mjetin e tyre.

Tashmë ata do të hetohen nga Prokuroria e rrethit të Shkodrës për veprat penale të "Heqjes së paligjshme të lirisë e kryer në bashkëpunim" dhe " Kanosjes".

m.i/NOA

KOMENTE