Tiranë, 20 tetor NOA - Specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar, pranë Policisë së Tiranës, organizuan dje një operacion të koduar "Fshehja" i cili u finalizua me ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, për katër zyrtarë të cilët akuzohen për "Falsifikim të vulave stampave ose formularë" dhe  "vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën", në bashkëpunim.
Burime nga policia thanë se u ekzekutua vendimi i gjykatës për 56-vjeçarin Shkëlqim Sako, 56 - vjec, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me profesion Ekonomist. Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 17 tetor 2009, ka vendosur ndaj masën e sigurisë "Detyrim paraqitje" dhe të "Ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive, të caktuara profesionale ose afërsitë", për veprën penale të "falsifikim të vulave stampave ose formularë", "vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën", në bashkëpunim dhe "falsifikim të dokumenteve".
Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se Gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest shtëpie" edhe për ekonomisten Ajeta Shkëmbi, 43-vjeçe, lindur në Mamurras dhe banuese në Tiranë, e cila akuzohet për të njëjtat vepra penale.
Ndërkohë të njëjtën masë Gjykata ka vendosur edhe për dy ekonomiste të tjera  Marjana Palla, 40-vjeçe, lindur në Vlorë dhe banuese në Tiranë dhe për 34-vjeçaren Nevila Bami, 34-vjeçe, lindur dhe banues në Lushnje.
Sipas policisë pasi ushtruan një kontroll të imtësishëm në banesat e katër ekonomistëve u gjendën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi kompjuterësh, si dhe një serë dokumentesh financiare të cilat posedoheshin prej tyre. k.k/NOA