Tiranë, 21 tetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij zyrtare në Romë, u prit sot në një takim nga homologu i tij italian, Franko Fratini.
Integrimi evropian i Shqipërisë, liberalizimi i vizave dhe zgjerimi e forcimi i marrëdhënieve dypalëshe ishin në qendër të këtij takimi.
"Italia është avokati kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë evropian" ka deklaruar gjatë takimit, ministri Frattini, duke shtuar se "Shqipëria ka arritje të dukshme në të gjitha fushat, veçanërisht në ato të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrollit të kufijve, forcimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut".Â
Ministri Fratini garantoi Metën se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, Komisioni Evropian do të marrë vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe se Italia do të jetë një mbështetëse e fortë dhe strategjike e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit evropian.
Nga e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta garantoi se qeveria shqiptare do të përmbushë në kohë të gjitha standardet që kërkon ky proces.
Në këtë kuadër u vlerësua vizita e ardhshme e Ministrit të Brendshëm italian në Tiranë, gjatë muajit nëntor.Â
Gjatë këtij takimi u ra dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të ngrihen në një nivel edhe më të lartë, në të gjitha fushat me interes reciprok, duke pasur si synim nënshkrimin së afërmi të dokumentit dypalësh për partneritet strategjik, i cili do të shoqërohet me samite periodike të nivelit më të lartë midis dy qeverive.
Gjatë bisedimeve u diskutua edhe për integrimin e mëtejshëm të komunitetit shqiptar në shoqërinë italiane, i cili tashmë ka kaluar nga faza e emergjencës së një emigracioni klandestin drejt një integrimi dhe kontributi gjithnjë e më të plotë në shoqërinë italiane.
k.k/NOA
Â