English

Gjiknuri: Progres-Raporti, drejtësia Shqiptare e pushtuar nga probleme të mëdha

Tiranë, 21 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri duke iu referuar progres-raportit ka deklaruar sot se sistemi i drejtësisë në vendin tonë është pushtuar nga probleme të mëdha.

"Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë,  rithekson edhe një herë me forcë dobësitë sistematike të demokracisë shqiptare, përfshirë edhe komponentët e tjerë, aspak pozitiv që lidhen me keqqeverisjen dhe politikat e ndjekura nga qeveria Berisha në këto vitet e fundit.

Një nga fushat më problematike dhe që ka shënuar përkeqësim të dukshëm gjatë qeverisjes së Sali Berishës, është drejtësia.

Në Progres Raportin e radhës dalin në pah problemet e mëdha që kanë pushtuar sistemin e drejtësisë. Raporti shpreh qartë se autoritet shqiptare kanë bërë një progres shumë të pakët në fushën e drejtësisë dhe në kuadrin ligjor që rregullon këtë sektor jetik për vendin" tha Gjiknuri.

Sipas tij, në progres raport vihet theksi edhe në ndërhyrjet politike të qeverisë në kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke konfirmuar atë që opozita shqiptare e ka deklaruar vazhdimisht, që familja Berisha gjatë mandatit të tij të parë, por edhe në vazhdim, ka ushtruar dhe ushtron trysni mbi pushtetin e pavarur të drejtësisë.

Socialisti jep shembuj si pushimi i çështjeve që lidhen me skandalin e rrugës Durrës-Kukës, çështjen e Gërdecit, apo edhe gjykimet e shpejtuara të Kolegjit Zgjedhor në favor të kërkesave të Partisë Demokratike.

Për herë të parë në leksikun politik të ndërkombëtarëve është përfshirë nocioni i kulturës së pandëshkueshmërisë të zyrtarëve, duke përbërë një stad tjetër të kapjes së shtetit nga familja që qeveris vendin.

"Problemet e drejtësisë kërkojnë mbështetje financiare nga ana e ekzekutivit për përmbushjen me sukses të misionit të drejtësisë, si dhe kërkojnë ushtrimin e kujdesit të duhur në përzgjedhjen e kandidatëve për karrierë në të gjitha nivelet e gjyqësorit, mbi baza profesionale dhe larg ndikimeve të paligjshme, qofshin këto politike apo financiare.

Partia Socialiste ka qenë dhe është e gatshme të jap kontributin e saj në këtë drejtim.

PS kërkon gjithashtu që t'i hapet rruga sa më parë ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet, me qëllim mundësimin e kontributit të opozitës në kuvend, në mbështetje të reformave të shumëpritura në këtë sektor" përfundoi deputeti socialist.

k.k/NOA

KOMENTE