English

Italiani mashtron bankën "Intesa Sanpaolo" për 15 mijë euro me letra false

Durrës, 21 tetor, NOA - Forcat e policisë së Durrësit kanë filluar procedimin penal në mungesë, në ngarkim të italianit Viti Ludoviko, 48-vjeç, lindur në Bari dhe banues në Torino, administrator i shoqërisë "LVL Import Eksport" me seli në Kuçovë.

Burimet policore konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se procedimi penal në ngarkim të tij filloi për arsye se ky person nëpërmjet një dokumenti të falsifikuar të bankës "Intesa Sanpaolo Bank", me qendër në Avigliana të Italisë, ka mashtruar drejtorin e filialit të kësaj banke në Durrës të Shqipërisë, duke i marrë një shumë prej 15000 eurosh pasi sipas këtij dokumenti nga llogaria e tij ne Itali ishin xhiruar për në llogarinë e tij në Shqipëri një shume prej 450000 eurosh.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës si dokumenti i lëshuar nga banka në Itali, ashtu dhe gjithë dokumentacioni i tërheqjes së lekëve nga ky person në bankën "Intesa Sanpaolo" në Durreë dhe po punohet për kapjen e Viti Ludovikos.

Materialet iu kaluan prokurorisë së Durrësit për veprën penale të "Mashtrimi", të parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe "Falsifikimit të dokumentave" të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE