Tiranë, 21 Tetor NOA - Kompania AMC, mbështetësja kryesore e Javëve të Tetorit Gjerman në Shqipëri ka kontribuar për zhvillimin e një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen në Tiranë deri më 19 nëntor.
Pjesë e aktiviteteve të organizuara është edhe ekspozita e znj. Jutta Benzenberg, një fotografe gjermane që jeton në Shqipëri që nga viti 1999.
Në këtë ekspozitë znj. Benzenberg do të paraqesë një përzgjedhje të punimeve të saj më të mira. Gati dy dekada të marrëdhënies së saj me Shqipërinë janë shndërruar në pamje bardhë e zi dhe me ngjyra.
Me anë të retrospektivës së fotografive, ajo do të transmetojë mprehtësinë e vizionit të saj. Vizitorët e kësaj ekspozite do të kenë mundësine të flasin me të, si dhe të bashkëveprojnë me një seksion të veçantë brenda sallës.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga data 20 deri në 25 tetor. Vizitorët kanë mundësinë që të kuptojnë vizionin e punimeve të kësaj artisteje.
AMC përveçse ka mbështetur ekspozimin e punimeve Jutta Benzenberg, është përfshirë edhe në kurimin e gjithë ekspozitës. Një seksion i kësaj ekspozite do t'i kushtohet fushatave dhe aktiviteteve sociale të AMC.
Në këto foto paraqiten njerëz të vërtetë dhe të zakonshëm që janë prekur nga projekte të ndryshme të Përgjegjësisë Sociale të AMC.
Jutta Benzenberg lindi në Neuwied, Gjermani në vitin 1960. Ajo ka fotografuar tashmë prej 18 vitesh aspekte të ndryshme të jetës në Shqipëri.
Punimet e saj janë shfaqur në disa shtete të Evropës. Deri tani ajo ka botuar dy libra: "Mbijetesë shqiptare" dhe "Bukuri e rëndë". Në 2010, pritet të botohet një libër i tretë i saj.
Këtë vit, aktivitetet e Tetorit Gjerman do të përfshijnë si temë 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Shfaqjet teatrore, ekspozitat, prezantimet e filmave, konferencat, pritjet e ndryshme, koncertet, etj. do të paraqesin marrëdhënien e mira ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë, shumëllojshmërinë e kulturës së sotme gjermane si dhe do të promovojnë imazhin e saj modern.
Si një kompani mjaft e suksesshme në Shqipëri dhe pjesë e një prej grupeve më të mëdha të komunikimit në botë, AMC merr pjesë me krenari në aktivitete ndërkombëtare, të cilat ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.
Në një publikim për mediat, AMC nënvizoi sot se "në sajë të cilësisë tepër të lartë të rrjetit ka mundur t'u ofrojë shërbime moderne dhe të plotësojë kërkesat përherë në rritje të abonentëve".
Po ashtu kompania kujton edhe se ka zbatuar një program të rëndësishëm investimesh në mbarë vendin, me qëllim që t'u japë abonentëve në gjithë vendin komunikim cilësor dhe akses në shërbime të teknologjisë së lartë.
f.sh/NOA
Â