Tiranë, 21 tetor NOA - Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli ka dalë sot në një deklaratë për shtyp për të reaguar mbi raportin e fundit të "Reporterë pa kufij" të publikuar ditën e djeshme.
Sipas Mëhillit raporti është keqinterpretuar e deformuar prej të njëjtëve individë e klane që çdo dite raportojnë të pavërtetën mbi situatën në Shqipëri.
"Janë të njëjtat klane e të njëjtët individë që çdo ditë përpiqen të ngjallin katastrofizëm e panik në mediat që sundojnë, duke abuzuar me kohën, emocionet, intelektin dhe paratë e shqiptarëve.
Duke pasqyruar të pavërtetën, madje të kundërtën e së vërtetës, për qëllime e parime krejtësisht të kundërta me ato mbi të cilat duhet të mbështesë misionin e saj një media e lirë, në një vend të lirë, informimin e paanshëm të opinionit publik.
Raporti përcjell një mesazh të qartë për të gjithë editorialistët, botuesit dhe pronarët e medias në Shqipëri për shkak se njihet tashmë mirë, dhe ne e kemi denoncuar vazhdimisht, shantazhin ose ankandin e ashtuquajtur leje ndërtimi baras kohë televizive, ku Kryetari i PS Edi Rama është ideatori dhe ndërtuesi i këtij tregu të turpshëm.
Me moton "Të jap leje ndërtimi, më jep kohë televizive ose faqet e gazetës" tha Mëhilli.
Sipas saj, Edi Rama vazhdon të ushtrojë presionin e tij korruptiv ndaj mediave, duke shtypur lirinë e fjalës dhe duke ndërhyrë deri në përcaktimin e politikave editorialiste në disa media ç'ka asgjëson çdo lloj standardi etik, profesional e njerëzor.
"Është e vërtetë që raporti i publikuar i "Reporterë pa kufij" lëshon një sinjal alarmi, por jo për lirinë e medias në Shqipëri!
Raporti është një sinjal alarmi për përgjegjshmërinë, integritetin, profesionalizmin dhe raportin e medias me të vërtetën në Shqipëri.
Nga ana tjetër PD, si partia e parë që rivendosi në Shqipëri të drejtën e fjalës dhe të drejtën e shprehjes, dhe kjo mazhorancë rikonfirmojnë vendosmërinë e palëkundur dhe angazhimin e saj në mbështetjen dhe mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të mediave në Shqipëri, të lirisë së të shprehurit si dy nga shtyllat bazë të demokracisë në vend" përfundoi zëdhënësja e PD-së.
k.k/NOA