English

Shoqërohen në polici 7 agjentë sigurimesh, punonin në vende të palicencuara

Tiranë, 21 tetor NOA - Antikrimi ekonomik-financiar ka shoqëruar dje shtatë agjentë të shoqërive sigurimesh pasi kryenin aktivitetin e tyre në vende të palicencuara.

Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se antikrimi ekonomik-financiar në bashkëpunim me Policinë Tatimore, në kuadër të operacionit policor të koduar "Ambasada" i cili u organizua në rrugën "Papa Gjon Pali i II' në kryeqytet bënë të mundur shoqërimin e shtatë personave.

Lefter Jaupaj, 42-vjeç, Ylmije Kapedani 61-vjeçe, Mbarime Selmani, 44-vjeçe, Kujtim Malaj, 46-vjeç, Lindita Dema, 55-vjeçe, Fatos Karagjozi, 43-vjeç, dhe Pirro Toçka, 46- vjeç u shoqëruan dje në ambientet e policisë së Tiranës pasi ushtronin aktivitetin e tyre në ambiente të cilat nuk ishin liçensuara.

Sipas policisë, pas një hetimi të kryer, dyshohet se shtatë personat, duke qenë të punësuar si agjent sigurimesh pranë shoqërive të sigurimeve, Sigal, Eurosig, Albsig dhe Atlantik, degë të cilat janë të vendosura në afërsi të ambasadës Italiane në Tiranë, ushtronin aktivitetin e tyre duke i prerë sigurime për jetën mbi vlerën e përcaktuar, qytetarëve të ndryshëm, të cilët aplikojnë për marrjen e vizave pranë kësaj ambasade. Ndërkohë, Policia Tatimore Tiranë ndërmori masën me gjobë ndaj këtyre kompanive sigurimesh në vlerën 250 mijë lek, secila, pasi këto kompani ushtronin aktivitetin e tyre, në ambiente të cilat nuk ishin licensuara. Ndërsa, punonjësit e punësuar në këto shoqëri sigurimesh, pasi ju morën deklarimet dhe u këshilluan që të mos ushtrojnë këtë aktivitet, u lanë më pas të lirë. k.k/NOA

KOMENTE