Vjenë, 22 tetor, NOA - Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, mban sot në Vjenë raportin vjetor përpara Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
Sipas të dhënave nga prezenca e OSBE, për agjencinë e Lajmeve NOA, ky raport përmban të dhëna mbi të gjitha zhvillimet politike të këtij viti në Shqipëri, por i referohet kryesisht procesit të fundit zgjedhor që u mbajt në vendin tonë në 28 qershor.
Duke i dhënë një vend të veçantë edhe prezantimit të situatës politike lidhur me momentin e rëndësishëm të anëtarësimit të vendit tonë në NATO apo edhe paraqitjen zyrtare nga ana e Shqipërisë të kërkesës për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, këto cilësohen si dy evenimente të rëndësishme të jetës politike shqiptar të shënuara gjatë
këtij viti.
Ndërsa zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu si edhe në raportin përfundimtar të publikuar prej ekspertëve të OSBE/ODIHR-it rreth tyre, citohet se kanë patur arritje të konsiderueshme, por gjithsesi ka vend për përmirësime.
"Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 "përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së" dhe shënuan një
progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit,
kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i
përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore". Megjithatë, në zgjedhje u vërejtën disa mangësi në lidhje me procesin e politizuar të numërimit të votave, gjë që bëri që zgjedhjet, siç thotë raporti, të mos e realizonin plotësisht "potencialin e Shqipërisë për t'iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike", citon konkretisht raporti që ambasadori i OSBE, Robert Bosch do të lexojë sot para drejtuesve të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Vjenë.
Më poshtë lexoni të detajuar raportin e prezantuar prej Bosch:
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë/ Prezenca në Shqipëri
RAPORT I KREUT TË PREZENCËS SË OSBE-SË NË SHQIPËRI MBAJTUR PËRPARA KËSHILLIT TË PËRHERSHËM TË OSBE-SË, MË 22 TETOR 2009
HYRJE
Qysh prej Raportit Vjetor të vitit të kaluar, Prezenca i ka ndjekur me përpikëri udhëzimet e dhëna nga Shtetet Pjesëmarrëse dhe nga Sekretariati, duke pasqyruar prioritetet e vendit
pritës. Duhet t'i shprehim mirënjohjen tonë vendit pritës dhe në veçanti Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbështetjen e fortë gjatë vitit të kaluar, e cila e ka lehtësuar mjaft punën e Prezencës. U jemi mirënjohës edhe organeve të tjera të Qeverisë, Presidencës, Zyrës së Kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të gjitha atyre institucioneve të tjera shtetërore, me të cilat Prezenca ka bashkëpunuar aktivisht. Së fundi, u shprehim falënderimet tona të gjithë
atyre institucioneve shumëpalëshe dhe shteteve pjesëmarrëse, të cilat kanë financuar
programet tona. Sa u përket vizitorëve të rëndësishëm, ngjarja kryesore ishte padyshim vizita e Kryetares së atëhershme të Radhës të OSBE-së, Dora Bakojani, në shkurt 2009, e cila kontribuoi ndjeshëm në forcimin e marrëdhënieve me vendin pritës. Gjatë zgjedhjeve
parlamentare, Prezenca mbështeti veprimtarinë e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të
OSBE/ODIHR-it, si dhe vizitën e Drejtorit të ODIHR-it J. Lenarçiç. Prezenca, gjithashtu,
mbështeti vizitat e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuara nga Presidenti J. Soares dhe Zëvendëspresidenti i saj W. Grossruck.
Ky raport përmban një paraqitje të përmbledhur të zhvillimeve kryesore politike dhe të
programeve të vitit të kaluar, për aq sa ato kanë të bëjnë me mandatin tonë. Zhvillimet
kryesore për vendin ishin, pa dyshim, hyrja në NATO më 1 prill 2009 dhe paraqitja e kërkesës për statusin e vendit kandidat të BE-së më 28 prill 2009, ngjarje që ngjallën shpresa të mëdha në opinionin publik. Sa u përket ngjarjeve kryesore politike, të lidhura me punën e OSBE-së në përgjithësi dhe të Prezencës në veçanti, më e rëndësishmja ishte mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Raporti Përfundimtar i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it mbetet analiza bazë e këtyre zgjedhjeve.
ZHVILLIMET KRYESORE POLITIKE
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 "përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së" dhe "shënuan një
progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit,
kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i
përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore". Megjithatë, në zgjedhje u vërejtën disa mangësi në lidhje me procesin e politizuar të numërimit të votave, gjë që bëri që zgjedhjet, siç thotë raporti, të mos e realizonin plotësisht "potencialin e Shqipërisë për t'iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike". Përgatitjet zgjedhore nisën më 29 dhjetor 2008, pas miratimit me shumicë dërrmuese të Kodit
të ri Zgjedhor nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në vijim të miratimit me konsensus të ndryshimeve në Kushtetutë, në prill të të njëjtit vit. Pa dyshim, eliminimi de facto i dukurisë të Dushkut dhe i rirenditjes paszgjedhore të kandidatëve u panë si një tjetër hap përpara. Sa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, për të parën herë, lista e zgjedhësve u nxor nga baza e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Me gjithë pretendimet e Partisë Socialiste, partisë më të madhe opozitare, për shumë pasaktësi në këto lista, duket se numri dhe natyra e rasteve të raportuara i hidhnin poshtë këto pretendime. Cilësia e këtyre listave u përmirësua ndjeshëm deri në ditën e zgjedhjeve. Sa u përket dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, procesi i drejtuar nga qeveria për pajisjen e shtetasve me karta identiteti ishte në pjesën më të madhe të tij i suksesshëm. Shqetësimet e PS-së rreth kapaciteteve për prodhimin e një numri të mjaftueshëm kartash ishin në pjesën më të madhe të pabazuara, ashtu sikurse edhe pretendimet e saj për ndërhyrje të Partisë Demokratike (PD) në ‘procesin e kartave të identitetit'. Sfidat që vërtet ekzistonin kishin të bënin më shumë me afatet kohore tejet ambicioze e tepër të shkurtra (të cilat nuk lanë hapësirë kohore për trajnimin në kohë të personelit që merrej me lëshimin e kartave të identitetit), me një debat të zgjatur rreth çmimit të kartave, me shifra shpesh kontradiktore gjatë procesit, si dhe me një
lloj ngurrimi për vënien në dispozicion të të gjitha të dhënave përkatëse. Përgjithësisht,
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i administroi përgatitjet zgjedhore me
profesionalizëm dhe përgjithësisht brenda afateve ligjore, po të kihet parasysh fillimi me
vonesë i tyre. Me gjithë përpjekjet e bëra për të punuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, debatet brenda KQZ-së shpesh ndaheshin sipas linjave partiake. E drejta e shumëpërdorur e partive politike për t'i zëvendësuar komisionerët e tyre sipas dëshirës pati një ndikim negativ në efikasitetin e punës së komisioneve zgjedhore. Me t'u krijuar, ato u dominuan nga dy partitë kryesore, në të mirë, deri diku, të partnerëve të tyre më të vegjël në koalicion dhe plotësisht në dëm të partive jashtë këtyre koalicioneve, të cilat nuk kishin asnjë lloj përfaqësimi. Për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik në këtë proces, në qoftë se zgjidhet të ruhet struktura e tanishme partiake e KQZ-së përkundrejt një sistemi tërësisht të depolitizuar, mund të merret në konsideratë zgjerimi i përbërjes së komisioneve zgjedhore. Fushata zgjedhore u zhvillua në një atmosferë të qetë, por prapëseprapë të polarizuar. Megjithëse gjatë kësaj periudhe u vranë tre aktorë politikë vendorë, nuk ka prova se këto vrasje u kryen për motive politike. Tonet e ndezura mbizotëruan gjatë fushatës, ku u ngritën edhe akuza, shpesh të bazuara, nga PS-ja se PD-ja shfrytëzonte veprimtaritë shtetërore për qëllime të fushatës zgjedhore, duke ushtruar edhe presion mbi punonjësit e administratës publike që të merrnin pjesë në tubimet zgjedhore partiake. Prezenca u vu në dijeni të disa dëshmive, sipas të cilave shumë simpatizantë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ishin pushuar nga puna pas vendimit të kësaj partie për të kaluar në koalicionin e udhëhequr nga PS-ja. Megjithëse pretendimet e PS-së, se disa të burgosurve iu dha liridalje e posaçme në mënyrë selektive, ishin shpesh të bazuara, Prezenca nuk qe në gjendje të vërtetonte se këta njerëz u përfshinë në fushatën zgjedhore të PD-së. Shumë organe mediatike u duk se shfaqën
njëanshmëri të fortë në favor të njërës apo tjetrës prej dy partive të mëdha politike, në dëm të të tjerave. Po ashtu mund të thuhet, se dy formulat për llogaritjen e mandateve elektorale rezultuan të pafavorshme për partitë e vogla jashtë koalicioneve. Duke pasur parasysh se të gjitha votat duhet të kenë të njëjtën vlerë, duhet parë mënyra e shpërndarjes së mandateve. Vetë dita e zgjedhjeve ishte, në përgjithësi, e qetë dhe pa ndonjë incident për t'u shënuar. Për këtë ndikoi pozitivisht kalimi në sistemin zgjedhor proporcional rajonal. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, pati një numër shumë më të vogël ankimesh paszgjedhore, mbase për shkak të zvogëlimit të numrit të zonave nga sistemi i ri zgjedhor. Ndonëse seancat e Kolegjit Elektoral, në vetvete, u mbajtën përgjithësisht në mënyrë profesionale, vendimmarrja u duk disi e nxituar. Megjithëse nuk pati prova të qarta të manipulimit të rezultateve në shkallë të gjerë, fillimisht, në disa zona, fletët e votimit të kutive të caktuara, identiteti i të cilave ishte përcaktuar qartë, ose nuk u numëruan, ose rezultatet e nxjerra prej numërimit të tyre nuk u hodhën fare në tabelën përfundimtare të rezultateve. Për shmangien e problemeve të kësaj natyre në të ardhmen, vlen të merret në konsideratë fshehja e shenjave identifikuese të të gjitha kutive të fletëve të votimit ose hedhja e shortit për radhën e numërimit të tyre. Pavarësisht miratimit të ligjit për barazinë gjinore në shoqëri, boshllëqet ligjore në dispozitat që rregullojnë përfaqësimin e grave kandidate në zgjedhje u lanë hapësirë partive politike t'i shmangeshin frymës së vërtetë të ligjit. Për pasojë, megjithëse numri përfundimtar i grave të zgjedhura (23 nga 10, një numër shumë i vogël, në zgjedhjet e kaluara) përbën përmirësim, shifra përfundimtar mund të kishte qenë shumë më e lartë. Lipset
tashmë një vullnet politik më i fortë që edhe shumë gra të tjera të afta shqiptare të kenë
mundësinë e merituar për t'u zgjedhur.
Më 1 gusht 2009, KQZ-ja miratoi njëzëri rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve: koalicioni i drejtuar nga PD-ja fitoi 70 vende në Kuvend, koalicioni i drejtuar nga PS-ja 66 vende, dhe koalicioni i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 4 vende. Më 4 korrik 2009, u bë e qartë se zgjedhjet i kishte fituar koalicioni i udhëhequr nga PD-ja, kur Kryetari i LSI-së, I. Meta, deklaroi se partia e tij do t'i bashkohej koalicionit të PD-së. Më 14 shtator 2009, u botua Raporti i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE-ODIHR dhe Qeveria menjëherë premtoi zbatimin e të gjitha rekomandimeve të këtij raporti. Më 7 dhe 8 shtator 2009, u mblodh Kuvendi dhe znj. J. Topalli u rizgjodh për një mandat të dytë radhazi si Kryetare e tij. Më 16 shtator 2009, Kuvendi miratoi përbërjen e qeverisë sipas propozimit të Kryeministrit Berisha, ku LSI-së iu dhanë tri poste në kabinet, përfshirë postin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, të cilët u morën nga Kryetari i LSI-së, I. Meta. Po atë ditë, u paraqit publikisht edhe programi katërvjeçar i qeverisë, pas konsultimeve me LSI-në. Deri tani, PS-ja ka zgjedhur që t'i bojkotojë të gjitha seancat e Kuvendit të ri, pas vendimit që ajo ka marrë për ta kushtëzuar hyrjen e saj në parlament me plotësimin e disa kushteve të lidhura me procesin zgjedhor, i cili, sipas PS-së, ishte i pandershëm. Deri më sot, nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky bojkot. Më 9 tetor 2009, Kryeministri shprehu publikisht gatishmërinë e tij për të arritur deri diku një kompromis, duke i ofruar PS- së shumicën e anëtarëve të çfarëdolloj komisioni që mund të krijohet për hetimin e zgjedhjeve të qershorit, sipas kërkesës së PS-së, me kusht që të mos shkelej ligji. I vetëdijshëm për faktin
se KQZ-ja e kishte mbyllur me konsensus procesin zgjedhor, ai i bëri thirrje PS-së që t'ia
paraqiste çfarëdolloj ankese që mund të kishte Prokurorisë, si i vetmi organ me kompetencë ligjore për t'u marrë me këtë çështje në këtë fazë. Mirëpo, vetëm pak orë më pas, Kryetari i PS-së e hodhi poshtë publikisht ofertën e Kryeministrit, pasi në të nuk përmendej mundësia e hapjes së kutive të fletëve të votimit. Qëndrimi i PS-së u duk se u ashpërsua edhe më tej me një varg protestash publike. Protesta e parë u mbajt më 10 tetor 2009, përpara Kryeministrisë, me pjesëmarrjen e tre deri në shtatë mijë mbështetësve. Në mbyllje të periudhës së raportimit, Kryetari Rama ka deklaruar publikisht se do t'i propozojë Asamblesë Kombëtare të PS-së bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në pesë njësi të qeverisjes vendore, të parashikuara për t'u mbajtur më 15 nëntor 2009.
Në përgjigje të bojkotit, Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, zyrtarë të shumtë të qeverisë, një varg figurash brenda PS-së dhe shumë aktorë ndërkombëtarë (përfshirë këtu edhe Prezencën), si në Tiranë, ashtu edhe në kryeqytetet përkatëse, kanë theksuar, në mënyrë të përsëritur, faktin se PS-ja ka përgjegjësinë për t'u kthyer në Kuvend dhe për të luajtur rolin e saj kushtetues si "opozitë konstruktive", aq më tepër kur ka një sërë reformash të rëndësishme të procesit të integrimit që presin të miratohen.
Sa i përket shtetit të së drejtës, me gjithë përparimet e bëra gjatë vitit të kaluar, ku mund të përmendim përpjekjet e vazhdueshme për krijimin e gjykatave administrative, si dhe hapat e para në drejtim të zyrtarizimit të ofrimit të ndihmës ligjore, procesi i reformës gjyqësore nuk ka përfunduar ende. Procedurat gjyqësore mbeten të ngadalta, transparenca e plotë shpeshherë mungon dhe shumë çështje të rëndësishme mbeten ende për t'u trajtuar më fuqishëm, si, për shembull, korrupsioni në sistemin gjyqësor. Reformat nuk mund të bëhen thjesht duke rishkruar të ashtuquajturat ligje organike. Ka më shumë rëndësi që të rishikohet se sifunksionojnë në të vërtetë këto institucione. Nëse rezulton se procedurat civile apo penale nuk zbatohen në praktikë, atëherë ose duhet të ndryshohen procedurat, ose duhet që ato të zbatohen me më shumë rreptësi. Veç kësaj, duhet që përpara miratimit të një ligji tërëndësishëm, Qeveria të nxitet që të bëjë konsultime më të gjera me palët më të prekura nga ligji në fjalë. Për sa i përket shërbimit civil, edhe pse kuadri ligjor është përgjithësisht iplotësuar, zbatimi i tij mbetet jo i plotë. Ekzekutimi i vendimeve të gjykatave lidhur memosmarrëveshjet në shërbimin civil duhet shikuar pa humbur kohë. Në dhjetor 2008, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Megjithëse disa nga ndryshimet sollën përmirësime në kuadrin ligjor të ndjekjes penale, kishte edhe ndryshime të tjera që shkaktuan debat për shkak të shfuqizimit të një neni, që i mbronte prokurorët nga ndjekja penale dhe shtimit të një neni që e forconte rolin e Ministrit të Drejtësisë dhe Kuvendit kundrejt Prokurorisë. Në rastin më të mirë, Prokuroria do ta ruajë pavarësinë e saj dhe e vetmja pasojë do të jetë degradimi deri diku i përgjegjshmërisë së prokurorëve dhe dobësimi deri diku i rolit të Presidentit. Në rastin më të keq, Prokuroria mund të bjerë nën autoritetin e Kuvendit, duke e dobësuar kështu ndarjen kushtetuese të pushteteve. Në janar 2009, Kuvendi miratoi ligjin për pastrimin e figurave mes debateve të shumta politike. Ky ligj synonte shqyrtimin e figurave të funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar për sa i përket përfshirjes së tyre në regjimin komunist. Ai u kritikua gjerësisht dhe në mënyrë
publike nga faktorët vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu Prezencën, lidhur kryesisht me disa elementë që dukej se shkelnin Kushtetutën. Ndër shkeljet mund të përmendim përjashtimin e mundshëm të kandidatëve zgjedhorë dhe heqjen nga detyra të të zgjedhurve, si dhe ndikimin e mundshëm mbi gjyqësorin, meqenëse një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh mund të rrezikojnë të humbin vendet e punës. Gjithashtu, dispozitat administrative të ligjit nuk duket se i përmbushnin kriteret e procesit të rregullt ligjor dhe të prezumimit të pafajësisë së individëve në shqyrtim, dhe nuk garantohej paanshmëria e autoritetit gjykues. Tashmë, ligji është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka vendosur pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë në lidhje me këtë çështje dhe në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias, i cili doli me një opinion mjaft kritik ndaj ligjit më 9 tetor 2009. Pas një viti hetimesh mbi shpërthimin e Gërdecit, në shkurt të vitit 2009, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se 28 zyrtarë ishin përgjegjës për tragjedinë. U deklarua se Gjykata e
Lartë do të shqyrtonte çështjen ligjore kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, F. Mediu. Të
pandehurit e tjerë janë duke u gjykuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen kundër Mediut, me argumentimin se, duke u rizgjedhur si anëtar i Kuvendit dhe duke u emëruar si Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ai kishte fituar përsëri imunitet, ndërkohë që prokuroria nuk kishte arritur të rinovonte kërkesën për heqjen e imunitetit përpara seancës gjyqësore. Më 8 tetor 2009, familjarët e viktimave të Gërdecit ngritën një padi të re penale kundër Mediut, duke kërkuar de facto rihapjen e çështjes kundër tij. Këto familje kanë ndër mend ta paraqesin çështjen edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kryeministri S. Berisha ka ritheksuar qëndrimin e qeverisë, se të gjithë anëtarët e Kuvendit do të jenë në dispozicion të plotë të Prokurorisë, në rast të çfarëdolloj procedimi ligjor në të ardhmen. Në lidhje me anti-korrupsionin, Shqipëria ka ndërmarrë disa reforma, siç është miratimi i Strategjisë për Parandalimin dhe Luftën ndaj Korrupsionit dhe Qeverisjen Transparente 2007- 2013, si dhe miratimin e një numri të konsiderueshëm ligjesh, në përputhje me legjislacionin e BE-së. Qeveria ka krijuar, gjithashtu, një sistem online për regjistrimin e bizneseve dhe prokurimet. Politika e decentralizimit, që vazhdon në vend, siguron mundësi monitorimi përmes angazhimit të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes në nivel vendor. Janë vendosur, gjithashtu, masa më të rrepta për kontrollin e pasurive të zyrtarëve publikë. Gjithsesi, korrupsioni mbetet problem serioz, sidomos në sistemin gjyqësor, shëndetësor dhe atë arsimor. Sfidues vazhdon ende të mbetet zbatimi efektiv i legjislacionit kundër korrupsionit dhe një bashkërendim më i mirë nevojitet ndërmjet institucioneve publike përgjegjëse për këtë çështje. Në lidhje me policinë, me miratimin e ligjit për policinë e Shtetit, në vitin 2007, tashmë policia është më e pavarur nga politika në rekrutimin, ngritjen në detyrë dhe çështjet disiplinore. Një shenjë pozitive është edhe rritja e nivelit të përfshirjes së grave në pozicione drejtuese. Megjithëkëtë, në mënyrë që policia, si organ i zbatimit të ligjit, të jetë më efektive në luftën kundër korrupsionit, duhet përparuar më tej në fushën e praktikave të marrjes në punë dhe ngritjes në detyrë, në forcimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, si dhe në çështje të përgjithshme të menaxhimit të burimeve. Aktualisht, Policia e Kufirit dhe Migracionit po merr përsipër procesin e bashkëpunimit ndërkufitar për të gjithë kufijtë dhe ka përditësuar, së fundi, edhe Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve. Një përparësi e rëndësishme mbetet përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave për në BE. Në fushën e reformës së pronës, investimet dhe huadhënia do të vazhdojnë të hasin pengesa, derisa të garantohet pronësia mbi pronën. Çështja ndërlikohet më tej nga kuadri ligjor, i cili nuk siguron një përkufizim të njësuar të pronësisë. Një shqetësim tjetër përbëjnë edhe kërkesat e ish-pronarëve për kompensim apo kthim. Në një proces të mëparshëm privatizimi, qeveria miratoi një ligj që u lejonte ish-pronarëve të rizotëronin apo të merrnin kompensim për tokën e shpronësuar në mënyrë të paligjshme në regjimin e kaluar. Gjithsesi, para se të
miratohej ky ligj, pjesa më e madhe e tokës u kishte kaluar ndërkohë atyre që e kishin punuar atë gjatë epokës komuniste, duke bërë kështu që kompensimi të mbetej zgjidhja e vetme ligjore. Shumë pak ish-pronarë kanë përfituar kompensim dhe, jo çuditërisht, kjo çështje mbetet tejet e politizuar. Është shqyrtuar vetëm një pjesë e vogël e kërkesave të dorëzuara, për shkak të pengimit të sistemi nga dokumentacioni i pasaktë dhe jo i plotë, shpeshherë nga raktikat e vjetërsuara të menaxhimit, mungesa e saktësisë ligjore, si dhe nga aftësitë e pamjaftueshme për përdorimin e të dhënave të dixhitalizuara.
Sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Trafikimin e Personave për vitin 2009, vëren se Shqipëria ka treguar "vullnet më të madh politik për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore". Në vitin 2008 qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare për Anti-trafikimin për vitet 2008 - 2010, hartuar pas një sërë konsultimesh me palët e interesuara vendase. Megjithëse kjo strategji përcakton objektiva të rëndësishme në
luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, zbatimi i saj mbetet i dobët dhe shpesh qeveria mbështetet në ndihmën ndërkombëtare. Ende raportohen raste të pakta ndjekjesh penale dhe nevojiten përmirësime në mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Misionet ndërkombëtare dhe OJF-të vendase vazhdojnë të ngrenë shqetësime për prirjen në rritje të trafikimit të brendshëm, manifestuar në formën e shfrytëzimit të fëmijëve për lypje dhe shfrytëzimin e vajzave për prostitucion. Këto shqetësime janë vënë në dukje edhe në Raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Trafikimin e Personave për vitin 2009.
Në lidhje me reformën administrative, megjithë angazhimin më të madh të qeverisë dhe
kërkesës në rritje të publikut për më shumë llogaridhënie në përdorimin e burimeve vendore, fragmentimi i qeverisë vendore dhe roli i papërcaktuar i qarqeve e ka ndërlikuar më tepër
ndarjen uniforme të roleve, e cila, nga ana e saj, ndikon në cilësinë e shërbimeve që i ofrohen publikut. Megjithëse disa njësi të qeverisjes vendore kanë arritur rezultate të prekshme në shërbimet që i sigurojnë publikut, decentralizimi i vendimmarrjes vazhdon të pengohet nga kuadri ligjor tejet i ndërlikuar. Në fushën e barazisë gjinore, ligji për barazinë gjinore, i miratuar në vitin 2008, ndihmoi në integrimin e perspektivës gjinore në politikat publike, duke parashikuar ngritjen e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore dhe sistemin e kuotës prej 30% për të dy gjinitë në institucionet legjislative, ekzekutive e gjyqësore dhe në të gjitha institucionet e tjera publike, përfshirë organet e tyre drejtuese, si dhe kuotën prej 30% gra në kandidaturat për deputetë të Kuvendit. Dobësitë e ligjit në lidhje me kuotat gjinore në zgjedhje u përmendën më sipër. Megjithëse aktet nënligjore parashikojnë emërimin e pikave fokale për barazinë gjinore në çdo ministri, e sidomos në nivelin e qeverisë vendore, ende mungojnë procedurat e duhura të rekrutimit dhe, si rezultat, institucionalizimi i pikave fokale për barazinë gjinore mbetet i papërfunduar.
Në fushën e medias, garancitë aktuale ligjore për lirinë e shprehjes nuk zbatohen plotësisht. Pavarësia e gazetarëve nuk respektohet përherë nga pronarët e medias dhe zbatimi i Kodit të Punës mbetet i paplotë. Një projektligj ri i integruar për median elektronike ka qarkulluar në një rreth të kufizuar ligjvënësish dhe përfaqësuesish të medias. Ndryshimet e ligjit për të drejtën e informimit dhe reforma e legjislacionit për shpifjen kanë mbetur pezull në parlament, ndërsa procesi i dixhitalizimit të transmetimeve televizive ndodhet ende në fazën e konsultimeve publike dhe në pritje të miratimit nga Kuvendi. Kodi i Etikës në Media ekziston që prej vitit 2006, por ende nuk është krijuar një kuadër institucional për zbatimin e tij në praktikë. Së fundi, progresi në zbatimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe në krijimin e mekanizmave të vetë rregullimit mbetet i ngadaltë.
VEPRIMTARITË KRYESORE TË PREZENCËS
Gjatë vitit të shkuar, vendit pritës i është dhënë ndihmë në të tria fushat tematike. Strukturat e bashkërendimit të projekteve janë përshtatur më tej dhe planifikimit strategjik të veprimtarive i është kushtuar përsëri më tepër vëmendje. Në mbështetje të të gjithë punës programore, të katër Zyrat e Projekteve të Prezencës ndjekin zhvillimet vendore në zonat përkatëse dhe, duke vendosur e mbajtur kontakte me palët vendase të interesuara, këto zyra ndihmojnë në zbatimin e projekteve, në nivel qarku dhe vendi.
1. Kryetari i Misionit
Krahas mbajtjes së kontakteve të rregullta me partnerët vendas e ndërkombëtarë, puna, këtë vit, është përqendruar në çështjet që kanë të bëjnë me bashkërendimin e donatorëve, ku Prezenca ka vazhduar pjesëmarrjen e saj aktive në strukturat e Sekretariatit Teknik të
Donatorëve (STD) së bashku me Delegacionin e Komisionit Evropian në Tiranë, Bankën
Botërore, PNUD-in në emër të OKB-së, dhe (sipas një sistemi me rotacion) edhe me dy vende të tjera pjesëmarrëse. Me mbylljen e periudhës së raportimit, Prezenca rimori kryesinë e strukturave të STD-së për gjashtë muajt në vijim. STD-ja është një nismë e përbashkët dhe e përkohshme e donatorëve për të bërë të mundur një bashkërendim më të fortë me qeverinë. ë bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Ministrave, është bërë i mundur edhe financimi i buletinit të përmuajshëm të bashkërendimit të donatorëve. Për të ndihmuar në rivendosjen e kushteve normale të arsimimit të fëmijëve në fshatin Gërdec, pas tragjedisë, janë siguruar pajisjet për një qendër rehabilitimi dhe për një shkollë të rindërtuar.
2. Bashkëpunimi në Çështjet e Sigurisë
Që nga tetori 2008, ka vazhduar ndihma teknike për Policinë e Shtetit, Policinë Kufitare dhe të Migrimit, si dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Në mbështetje të Policisë së Shtetit, janë organizuar trajnime mbi vlerësimin e potencialit
drejtues, me qëllim ngritjen në detyrë apo rekrutimin, formimin e avancuar policor, hetimin nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, taktikat mbrojtëse të policisë, policimin në kohë zgjedhjesh, si dhe mbi mbështetjen që u duhet dhënë njësive hetimore në mbledhjen e provave. Mbështetje i është dhënë, gjithashtu, Departamentit të Rekrutimeve në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për t'u ardhur në ndihmë këtyre institucioneve në hartimin e një pakete rekrutimi për dyfishimin e numrit të aplikanteve femra dhe aplikantëve nga pakicave etnike. Janë organizuar trajnime për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në fushën e kontrolleve financiare, kontrollit të zbatueshmërisë së rregulloreve, si dhe vlerësimit të punës. Është dhënë ndihmesë edhe në formimin e avancuara policor për kadetët e policisë nga Shqipëria, Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Serbia, dhe Kosova/ UNMiK. Së fundi, 5 750 punonjës policie u trajnuan mbi detyrat që u cakton Kodi Zgjedhor përpara dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, me anë të skemës së trajnimit të trajnuesve. Në kuadër të mbështetjes së menaxhimit të kufirit, takimet e përbashkëta bashkërenduese ndërkufitare të organizuara me Malin e Zi kanë kontribuar në mbarëvajtjen e pikës së përbashkët të kalimit të kufirit në Muriqan/Sukobin. Në kuadër të funksionimit të kësaj pike të përbashkët kufitare, u organizua një vizitë studimore për zyrtarët në një pikë të përbashkët kalimi kufitar në Bullgari. Në kufirin me Kosovë/UNMiK-un janë organizuar takime të përbashkëta bashkërenduese ndërkufitare deri në korrik të vitit 2009 dhe, më pas, ky proces u mor përsipër nga autoritetet vendase të policisë kufitare. Takime të përbashkëta bashkërenduese ndërkufitare janë organizuar sistematikisht edhe me Shërbimin Kombëtar Policor në Shkup dhe tani këto takime drejtohen plotësisht nga autoritetet vendase. Në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, janë organizuar takime të përmuajshme midis policisë kufitare shqiptare dhe asaj greke.
Sa i përket mbështetjes së dhënë për çmilitarizimin, në korrik të vitit 2009 një kompani e
kontraktuar suedeze, së bashku me Forumin për Sigurim dhe Bashkëpunim, asgjësoi në Suedi 34 000 litra lëndë djegëse toksike stok. Ndërkohë, në kuadër të çmilitarizimit, ka nisur edhe një projekt tjetër për sigurimin e pajisjeve industriale për t'i ardhur më tej në ndihmë qeverisë në përpjekjen e saj për asgjësimin e municioneve konvencionale të tepërta. Deri në fund të vitit 2009, dy repartet e autorizuara për çmilitarizim do të jenë pajisur me sharra industriale. Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, është ngritur një grup pune i cili do të merret me çështjen e kimikateve të rrezikshme.
3. Qeverisja në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore
Fokusi i programimit këtë vit u vendos mbi antikorrupsionin, mirëqeverisjen vendore, reformën rajonale, reformën e pronave dhe luftën kundër trafikimit.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Qeverisë vazhdoi t'i sigurohet mbështetje nëpërmjet rritjes së kapacitetit të aktorëve vendas në promovimin e parimeve të mirëqeverisjes. Pas miratimit të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Njësia e Inteligjencës Financiare u asistua në trajnimin e institucioneve raportuese në lidhje me kriteret e reja ligjore. U mbajtën seminare me punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për raportimin e transaksioneve të dyshimta të pronave të paluajtshme. Mbështetje i është dhënë edhe Inspektoratit të Lartë për Deklarimin e Pasurive dhe Kontrollin në trajnimin e administruesve publikë mbi kuadrin ligjor të konfliktit të interesave. Sa i përket reformës administrative dhe mbështetjes së qeverisë vendore, në mbështetje të
Strategjisë së qeverisë për Decentralizimin, ka vazhduar bashkëpunimi me Këshillin e
Evropës për zbatimin e një projekti të qeverisë vendore mbi Standardet e Drejtimit,
përqendruar te mekanizmat e planifikimit të buxhetit dhe menaxhimit të performancës.
Kryetarët e bashkive dhe punonjës të nivelit të lartë të tri bashkive pilot u trajnuan nga
ekspertë ndërkombëtarë mbi teknikat e menaxhimit të performancës dhe mbi përgatitjen e
buxheteve për projekte të përcaktuara në planet e komunitetit. Sa i përket reformës mjedisore, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, është mbështetur në zbatimin e Konventës së Arhusit. Për disa punonjës të qeverisë dhe të shoqërisë civile janë mundësuar vizita studimore në Finlandë dhe Austri për t'u njohur me praktikat më të mira të pjesëmarrjes së publikut në vlerësimin e ndikimit në mjedis, si edhe me sistemet e menaxhimit të mbetjeve. Me mbështetjen e OCEEA-s dhe UNECE-s, gjyqtarëve të rajonit u është ofruar trajnim mbi aksesin në drejtësi. Puna e tri qendrave të informacionit Arhus është mbështetur si pjesë e një projekti për nxitjen e konsultimit me
publikun në vendimmarrje. Sa i përket reformës së pronave, meqenëse përmbyllja e procesit të regjistrimit dhe dhënia e titujve të qartë të pronësisë janë parakushte për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, Zyra e Kthimit të Pronave të Paluajtshme do të asistohet deri në mesin e vitit tjetër për përfundimin e regjistrimit të pronave të paluajtshme bregdetare. Procesi i regjistrimit siguron një mjet, nëpërmjet të cilit mund të zgjidhen mosmarrëveshjet mbi pronat. Për të ndihmuar në zgjidhjen e kërkesave për kthim apo kompensim pronash, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i është dhënë mbështetje, në mënyrë që ajo të jetë e aftë të përdorë mbështetjen që i
është dhënë më parë në fushën e teknologjisë së informacionit për të menaxhuar të dhënat e saj në trajtimin e kërkesave të ndryshme. Në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore, një projekt i përbashkët OCEEA/ODIHR në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore u përqendrua në përmirësimin e mundësive ekonomike të grave në veri të vendit, ku një OJF vendase ka ofruar mbështetje në fushën e biznesit. Janë zhvilluar trajnime për gjyqtarë, prokurorë dhe studentë të shkollës së Magjistraturës mbi mbrojtjen e të drejtave të viktimave të trafikimit, me fokus te nevoja për një bashkërendim më të mirë të asistencës së siguruar. Për të rritur kapacitetet lokale për parandalimin e trafikimit, janë zhvilluar seminare për Komitetet Rajonale të Antitrafikimit. I është dhënë mbështetje një OJF-je lokale për hartimin e një studimi për të ndihmuar ofruesit e shërbimeve që të ofrojnë mundësi riintegrimi. Si pjesë e fazës së tretë të një projekti të ODIHR-it të quajtur "Të punojmë së Bashku Kundër Trafikimit", u përzgjodhën tetë persona nga bashkësia rome, të cilët filluan një kurs njëvjeçar për të zhvilluar aftësitë e tyre në çështje
të punës sociale dhe për të punuar më vonë si bashkëedukues të këtij komuniteti sa i përket këtyre çështjeve.
4. Demokratizimi
Veprimtaritë programatike gjatë vitit të kaluar vazhduan të përqendrohen te reforma zgjedhore, reforma e regjistrit të gjendjes civile, forcimi i kapaciteteve të Kuvendit, barazia gjinore, shoqëria civile dhe media. Sa i përket reformës zgjedhore, në përgatitje për zgjedhjet parlamentare, Komisioni i Posaçëm i Kuvendit për Reformën Zgjedhore u asistua në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Kopje të Kodit u botuan dhe iu shpërndanë partnerëve vendas. Iu ofrua mbështetje KQZ-së në prodhimin e mesazheve televizive, të cilat nxisnin zgjedhësit pa pasaportë të vlefshme të aplikonin për t'u pajisur me kartë identiteti. Për të forcuar kapacitetet e saj trajnuese, KQZ-ja u mbështet në organizimin e seminareve për disa trajnues, të cilët trajnuan më vonë anëtarët e komisioneve zgjedhore. U hartua dhe u botua një udhëzues për zgjedhjet në gjuhën angleze, kopje të të cilit iu dërguan të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë. U mundësua prodhimi i një afisheje dhe realizimi i një fushate derë më derë, duke shkurajuar praktikën e votimit familjar.
Sa i përket reformës së regjistrit të gjendjes civile, Ministrisë së Brendshme iu ofrua
mbështetje në kuadrin e një projekti që ofron asistencë teknike për përfundimin e Regjistrit të ri elektronik Kombëtar të Gjendjes Civile, nga i cili doli edhe lista e zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare dhe të dhënat për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave. Si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij procesi, për të parën herë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri listat e zgjedhësve në masën më të madhe të tyre nuk u bënë objekt kundërshtish. Vazhdoi asistenca për hartimin e një sistemi adresash nëpërmjet krijimit të një Regjistri Kombëtar Adresash bazuar në Sistemin e Informacioneve Gjeografike (GIS), i cili do të jetë i rëndësishëm për regjistrimin e saktë të vendbanimit të shtetasve, si dhe për saktësimin në kohën e duhur të kufijve të njësive të qeverisë vendore për zgjedhjet vendore të vitit 2011. Gjithashtu, ministria u ndihmua edhe në zhvillimin e një sistemi mbështetës menaxhimi për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, një programi trajnimi për punonjësit e kësaj drejtorie, si dhe për faqen e saj në internet. Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u mbështet në krijimin e strukturave të saj dhe vazhdoi asistenca për rritjen e profilit publik të kësaj zyre dhe për zhvillimin e praktikave të saj të punës.
Sa i përket mbështetjes për parlamentin, si pjesë e një projekti të vazhdueshëm shumëvjeçar për modernizimin e Kuvendit, asistenca teknike është përqendruar te zhvillimi i praktikave të tij të menaxhimit në nivel drejtues. Sekretariati i Kuvendit është mbështetur në hartimin e një sërë përshkrimesh pune të ripunuara, të cilat presin të miratohen nga drejtuesit e zgjedhur rishtazi të Kuvendit. Është kryer ndërkohë puna bazë për hartimin e një strategjie trajnimi për stafin e Kuvendit, e cila duhet të mbarojë deri në fund të vitit 2009. Është mundësuar zhvillimi i disa kurseve trajnuese mbi menaxhimin. Një delegacion nga stafi i Kuvendit vizitoi parlamentin hungarez për t'u njohur me përvojën e këtij parlamenti gjatë periudhave të tranzicionit. Kuvendi u mbështet në krijimin e një departamenti të ri, Departamenti i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura dhe Organeve Kushtetuese, i cili është tashmë i plotësuar me gjithë stafin e nevojshëm dhe financohet nga vetë Kuvendi. U zhvilluan dy vizita nga punonjës të Shërbimit të Arkivës dhe Bibliotekës në Parlamentin e Holandës për të zhvilluar praktika më moderne pune. U mundësua pjesëmarrja e një punonjësi të Kuvendit në një seminar të zhvilluar nga Qendra Evropiane për Kërkime dhe Dokumentacione Parlamentare në Londër. Ka filluar edhe një sërë seminaresh për stafin e Kuvendit që merret me teknologjinë e informacionit mbi teknikat dhe aplikimet më të fundit në këtë fushë. Ky
trajnim ka qenë pjesë e projektit për mbështetjen e instalimit të një rrjeti të ri të teknologjisë së informacionit, i cili do të rezultojë edhe në një bazë të dhënash për Kuvendin. Së bashku
me Misionin e OSBE-së në Malin e Zi, u organizua një takim midis komisionit parlamentar shqiptar dhe atij malazez për integrimin evropian me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira dhe identifikimin e fushave të bashkëpunimit në të ardhmen. U krijua Grupi i Grave Parlamentare, i cili do të shërbejë si një platformë ndërpartiake për gratë deputete. Ky grup mbajti takimin e tij të parë në Tiranë me gra deputete nga i gjithë rajoni. Si pjesë e projektit t webështetjes për parlamentin, Prezenca po punon shumë ngushtë me misione të ndryshme të OSBE-së për shkëmbimin e ekspertizës me to.
Sa i përket reformës në media, hartimi i strategjisë së dixhitalizimit përmes Këshillit
Kombëtar të Radios dhe Televizionit u mbështet me ekspertizë nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias. Në shtator 2008, nisi një projekt që synon të nxisë komunitetin vendas të medias për të krijuar mekanizmat e tij vetërregullues. Qëllimi i projektit është krijimi i një shoqate vullnetare të medias vendase, një kuadër i institucionalizuar, i cili do t'i jepte mundësi medias të vepronte në mënyrë kolektive për promovimin e interesave të saj, për të forcuar pavarësinë e saj editoriale dhe ekonomike, si dhe për të zbatuar parimet e etikës në media. Në mbarë vendin janë zhvilluar një sërë seminaresh me ekspertë në fushën e vetërregullimit të medias, mbështetur nga Komisioni Flamand i Shtypit, Presserati Gjerman, dhe nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias. Sa i përket reformës së përkatësisë gjinore, për nxitjen e rritjes së numrit të grave në parlament dhe në qeverinë vendore, u zhvilluan seminare për gra anëtare të partive politike, punonjëse të administratës publike, si dhe përfaqësuese të shoqërisë civile dhe sektorit të biznesit. 25 për qind e pjesëmarrëseve u zgjodhën më vonë kandidate për zgjedhjet parlamentare. Projekti u mbyll me një ceremoni diplomimi në Tiranë në prani të Presidentit B. Topi. U zhvillua një fushatë kundër votimit familjar dhe u organizuan një sërë veprimtarish të tjera për rritjen e vizibilitetit të grave. Iu sigurua mbështetje e drejtpërdrejtë qeverisë, sidomos Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për finalizimin e Ligjit të Barazisë Gjinore dhe për lehtësimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore. Asistencë teknike dhe mbështetje financiare i është dhënë edhe Qendrës së Këshillimit të Grave në Kukës. Sa i përket reformës së shoqërisë civile, u mundësua sigurimi i komenteve të ODIHR-it mbi
projektligjin për Fondin e Shoqërisë Civile dhe iu komunikuan ato Këshillit të Ministrave. Prezenca nënshkroi një marrëveshje tripalëshe me Bashkinë e Korçës, Qendrën e Zhvillimit të Shoqërisë Civile (QZHSHC) të Korçës dhe me një Fond Bashkiak për Zhvillimin e Shoqërisë Civile të menaxhuar në mënyrë të përbashkët. Qëllimi i saj është sigurimi i mbështetjes lokale për promovimin e aktivizmit qytetar, i cili konsiderohet si një hap i rëndësishëm në kalimin përfundimtar të QZHSHC-së në pronësi vendase.
Shteti i së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut
Mbështetje e mëtejshme është dhënë në procesin e reformës legjislative dhe gjyqësore, me qëllim zhvillimin e strukturave ligjore transparente dhe një procesi të shëndoshë legjislativ. Sa i përket reformës gjyqësore, i është dhënë mbështetje Drejtorisë së Ministrisë së Brendshme për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. U organizua një vizitë në Shërbimin Qendror Italian të Mbrojtjes për anëtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe për Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, duke u përqendruar në kuadrin ligjor të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. U mbështet instalimi i pajisjeve të video-konferencave në Njësinë e Mbrojtjes Fizike. Këshilla janë dhënë në lidhje me hartimin e projektligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Veprimtaritë e monitorimit të gjykatave çuan në një projektraport mbi procedurat gjyqësore në çështjet civile. Iu dha mbështetje Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për botimin e një broshure mbi dhunën në familje. U zhvilluan disa seminare për gjyqtarët me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të tyre lidhur me etikën dhe pavarësinë e gjyqësorit. U kontraktua një institut italian kërkimesh për hartimin e një raporti mbi mundësinë e njerëzve për t'iu drejtuar gjykatës kompetente për çështjet civile. U botua një broshurë mbi detyrimet e policisë në lidhje me fëmijët viktima të krimit dhe të miturit e dyshuar për kryerje krimesh. Mbështetje i është siguruar Avokatit të Popullit me vendosjen e disa kutive postare në burgje për mundësimin e një komunikimi konfidencial me Avokatin e Popullit.
Në fushën ku reforma gjyqësore ndërthuret me reformën legjislative, iu sigurua mbështetje Ministrisë së Drejtësisë për krijimin e Shërbimit Kombëtar të Provës. U dha mbështetje për përgatitjen e legjislacionit dhe rregulloreve mbi këtë shërbim, si dhe për zhvillimin e një sistemi kombëtar edukimi mbi shërbimin e provës. U hartua një propozim, i cili përmbante procedurat e rekrutimit dhe një program trajnimi. Për zyrtarët e ministrisë u organizua një trajnim trajnuesish për t'i ndihmuar oficerët e provës që të shkruajnë raporte përpara dhënies së dënimit dhe për të mbikëqyrur autorët e veprave penale në komunitet. Së bashku me Shkollën e Magjistraturës, u organizuan seminare për gjyqtarë dhe prokurorë mbi rolin e shërbimit të provës. U prodhua një manual trajnimi për oficerët e shërbimit të provës dhe iu dërgua aktorëve të kësaj fushe. Në mbyllje të periudhës për të cilën po raportohet, u mbajtën një sërë seminaresh për të gjithë stafin e emëruar rishtazi në shërbimin e provës për t'i pajisur ata me aftësitë e nevojshme për hartimin e raporteve të vlerësimit për gjykatat dhe për të mbikëqyrur autorët e veprave penale në provë. Sa u përket fushave të tjera, Prezenca ka marrë pjesë në një grup pune për hartimin e një ligji të ri për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Ka siguruar, gjithashtu, edhe komente mbi projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve nga keqtrajtimi, projektligjin për organizimin territorial, si dhe projektligjin për taksat vendore. Komisionit të Shërbimit Civil i është siguruar mbështetje në trajnimin e zyrtarëve të qeverisë vendore për parandalimin e zbatimit të gabuar të legjislacionit të shërbimit civil. Është financuar botimi i Buletinit të Komisionit për vitin 2008 dhe u është shpërndarë aktorëve të interesuar. Në mbyllje të periudhës për të cilën po raportohet, u organizuan disa tryeza pune në bashkëpunim me Komisionin mbi çështje të shërbimit civil për zyrtarë të qeverisë vendore në qarqet e Beratit dhe Fierit. Mbështetje i është dhënë edhe shoqërisë civile në përgatitjen e legjislacionit kundër diskriminimit të pakicave. Prezenca ka kryesuar mekanizmin e bashkërendimit të donatorëve për të drejtat e romëve dhe reformën e burgjeve.
E ARDHMJA
Viti 2010 do të jetë me shumë të ngjarë një tjetër vit i rëndësishëm për aspiratat e
vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Është hera e parë në
historinë e politikës shqiptare që dy parti politike me prejardhje të kundërta ideologjike
bashkohen në një koalicion. Në lidhje me planin e integrimit, pritet të shihet një përpjekje e qartë për të ecur përpara me reformat. Një parakusht për suksesin kombëtar ka për të qenë rivendosja e konsensusit ndërpartiak për çështje me rëndësi kombëtare që ka ekzistuar deri në pranverën e vitit 2009. Duke pasur parasysh bojkotin aktual të Kuvendit nga PS-ja,mënyra se i do të arrihet një konsensus i tillë, e për më tepër, si do të ruhet ai me kthimin e PS-së, ërbën një pikë diskutimi interesante artive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik për të garantuar mbajtjen e gjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. Megjithëse kjo do të thotë një rol të ëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë, ajo nënkupton, gjithashtu, se edhe opozita duhet të
luajë një rol konstruktiv. Pa të, sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë, së bashku me ciklin e zgjedhjeve "jo edhe aq të mira". Klasës politike i duhet të garantojë tashmë mbylljen përfundimisht të këtij cikli. Sidoqoftë, marrëdhënia më e afërt se kurrë mes Prezencës dhe vendit pritës do të ushqehet më tej dhe asistenca teknike do të vazhdojë të bazohet te mandati aktual i Prezencës për t'i dhënë vendit pritës të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe për të punuar drejt përmbushjes së të gjitha angazhimeve të OSBE-së.
n.e/NOA