"Duke e përmirësuar aftësinë e Agjencisë për detektimin e shkeljeve të sigurisë, nuk mjafton. Shkelësit potencialë duhet ta dinë se nëse ata zihen, atëherë do ta paguajnë çmimin e lartë. Kjo sot sigurisht nuk po ndodh"
Nga Andrew F. Tully*
Gjatë vizitës në Pragë të Çekisë, në muajin prill, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se administrata e tij ka filluar të punojë në përpjekje për eliminimin e armatimit bërthamor nga arsenalet botërore.
Në Uashington, në këtë temë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, kërkoi autoritet më të fuqishëm të Kombeve të Bashkuara, për t'i luftuar ata që i zgjerojnë kapacitetet bërthamore
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të fuqizohen dhe se Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energji Bërthamore duhet dhënë më tepër burime për ta realizuar stabilitetin në botë, që ballafaqohet me kërcënim nga zgjerimi i armatimit bërthamor. "Rrezja dhe intensiteti i sfidave të zgjerimit aktual bërthamor janë alarmuese. Komuniteti ndërkombëtar dështoi që ta parandalojë Korenë Veriore nga zhvillimi i armatimit bërthamor. Ne tash jemi të angazhuar në përpjekje diplomatike për ta kthyer prapa këtë zhvillim". "Irani po vazhdon t'i injorojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kërkojnë suspendimin e aktiviteteve të tij për pasurim dhe që t'i respektojë obligimet ndërkombëtare", tha Hilari Klinton. Ajo, më tutje, theksoi se siç qëndron gjendja tash, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) po bën punë të mirë, por vetëm aq sa ajo i ka kompetencat e tashme. Për shkak se kjo agjenci nuk ka burime të mjaftueshme, ajo nuk ka mundur ta detektojë reaktorin atomik të Sirisë, i cili ishte shkatërruar nga një sulm izraelit para dy vjetësh, apo kapacitetin e dytë të pasurimit të uraniumit në Iran, ekzistimi i të cilit ishte i panjohur deri muajin e kaluar. "Nëse ne presim që Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore do të jetë mbrojtës i regjimit të moszgjerimit, ne duhet t'ia sigurojmë burimet e domosdoshme për ta kryer punën". "Por, duke e përmirësuar aftësinë e Agjencisë për detektimin e shkeljeve të sigurisë, nuk mjafton. Shkelësit potencialë duhet ta dinë se nëse ata zihen, atëherë do ta paguajnë çmimin e lartë. Kjo sot sigurisht nuk po ndodh", tha Hilari Klinton. Më tutje, ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara të punojnë me Rusinë për reduktimin e armatimit bërthamor të të dy vendeve, që janë arsenalet më të mëdha të këtilla në botë. Në këtë aspekt, ajo theksoi progresin në negociatat ndërmjet Moskës e Uashingtonit, për arritjen e marrëveshjes me të cilën do të zëvendësohet Pakti i mëparshëm për reduktimin e armatimit strategjik, i cili përfundon më 5 dhjetor të këtij viti. Ajo tha se kjo marrëveshje është pjesë e vizionit të presidentit Barak Obama, të paraqitur në fjalimin e Pragës, lidhur me botën pa armatim bërthamor. Megjithatë, sipas zonjës Klinton, kjo nuk do të thotë se ndokush pret që bota së shpejti të jetë pa armatim bërthamor. "Siç e bëri të ditur presidenti, ne ndoshta nuk do ta arrijmë ambicien pa armatim bërthamor gjatë jetës sonë ose më vonë. Por, ne besojmë se duke punuar në këtë vizion, do të forcohet siguria jonë kombëtare dhe stabiliteti ndërkombëtar". "Ne, po ashtu, besojmë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë arsenal bërthamor të sigurt dhe efektiv, për të mposhtur çfarëdo armiku dhe që garanton mbrojtjen e aleatëve dhe të partnerëve tanë, gjithnjë duke e realizuar vizionin tonë", tha Hilari Klinton.Â
(*) RFE
Â