Tiranë, 22 tetor NOA - Institucioni i Avokati i Popullit ka ushtruar ditën e djeshme një inspektim në Levan të Fierit në kasollen ku mbahej prej tre vjetësh i lidhur me zinxhir një i sëmurë mendor.
Sipas këtij institucioni, i sëmuri kishte qenë edhe më parë në psikiatrinë e Vlorës por sapo mjekohej autoritetet e spitalit e kthenin sërish në banesën e tij, në këtë rast nuk ishte gjë tjetër veçse një kasolle e shqyer.
Ndërkohë që Avokati i Popullit ka detajuar inspektimin me anë të një rekomandimi drejtuar ditën e sotme, Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, Drejtorit të Shërbimit Social Shtetëror,Mihal Naço dhe kryeministrit, Sali Berisha.
"Dje përfaqësues të institucionit tonë shkuan në komunën Levan për të kontaktuar me të sëmurin, dhe për të marrë një informacion për mënyrën se si ishte trajtuar nga familjaret dhe nga ana e organeve vendore ky rast, përfitimet që ai gëzonte aktualisht, gjendjen ekonomike dhe sociale të familjes se tij.
Konstatuam se i sëmuri ishte marrë nga autoritetet e shërbimit shëndetësor dhe është dërguar për ekzaminimin e tij pranë Spitalit Psikiatrik në Vlorë" thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit.
"Gjatë kontaktimit me gjyshen dhe të afërm të tij, si dhe të personave të tjerë të këtij komuniteti, u informuam se Fatmir Rasho është i moshës 22-vjeç.
Ka lindur i sëmurë dhe që në fëmijëri është shtruar në spitalin distrofik, ku dhe është braktisur nga prindërit e tij.
Për të janë kujdesur gjyshërit e tij. Ky i sëmurë ka frekuentuar rregullisht gjatë gjithë këtyre viteve spitalin psikiatrik në Vlorë, por pasi i është dhënë ndihma mjekësore, është kthyer përsëri në shtëpi.
Nga verifikimi i kryer nga ana jone, konstatuam se kjo familje, prej tre vitesh, jetonte në një gjendje tejet të mjeruar, vetëm në një dhomë, e cila ishte e pabanueshme.
Të sëmurit i kishin ngritur një kasolle në oborr, ngjitur dhomës së tyre.
Në atë kasolle të vogël, ai jetonte në kushte ç'njerëzore.
Kjo justifikohej me faktin se ky person ishte i dhunshëm dhe shumë herë kishte qëlluar jo vetëm gjyshërit e tij, por edhe persona të tjerë.
Prandaj nga ana e tyre është mbajtur me zinxhirë për këta tre vjet.
Kjo familje jetonte vetëm me pagesën e aftësisë së kufizuar prej 8700 lekësh që përfitonte nipi i tij i sëmurë.
Për të marrë një informacion më të detajuar në lidhje me përfitimin si person me aftësi të kufizuar, takuam kryetarin e komunës së Levanit.
Sipas tij, i sëmuri Fatmir Rasho, me vendim të KMCAP-it në Fier ka përfituar grup të dytë të invaliditetit me diagnozë, "prapambetje mendore" dhe nuk i ka munguar mbështetja, pasi disa herë së bashku me rekomandimin e mjekut të familjes, nga ana e komunës, ky i sëmurë është dërguar në spitalin psikiatrik të Vlorës për t'u kuruar" thuhej më tej në rekomandim.
Sipas Avokatit të Popullit institucionalizimi në një spital Psikiatrik do të ndikojë negativisht në humbjen e mëtejshme të aftësive elementare që aktualisht ai i zotëron. Ka nevojë për trajtim psiko-social, programe të veçanta rehabilitimi, mbështetje dhe siguri të cilat ia ofrojnë vetëm institucionet përkatëse (qendra rezidenciale rehabilituese) për individë që janë me prapambetje mendore .
 Por, spitali Psikiatrik ofron trajtim medikamentoz dhe psiko-social vetëm për individë që janë me çrregullime mendore.
Avokati i Popullit ka rekomanduar autoritetet përkatëse të sistemojnë të sëmurin në Qendrën e Zhvillimit të Përkujdesit Shoqëror në Vlorë dhe ngritjen e një qendre të posaçme për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar (të sëmurë mendore), që janë mbi moshën 25-vjeç.
k.k/NOAÂ
Â