English

Kapet në Itali i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasje, e zbuloi Interpoli

Pavia, 22 tetor, NOA - Në sajë të një bashkëpunimi të suksesshëm mes zyrës së "Interpol Tirana" dhe asaj "Interpol Roma" është mundësuar arrestimi në Itali i Fatjon Kodrës, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lajmi konfirmohet për agjencinë NOA nga burime zyrtare policore, sipas të cilave, arrestimi i të shumëkërkuarit u realizua në Pavia të Italisë, pas informacionit të dërguar nga ana e zyrës së Interpolit në Tiranë homologëve italianë se Kodra ndodhej në territorin italian ku jetonte me gjeneralitete false.

Bëhet e ditur se në momentin e arrestimit, 33-vjeçari Fatjon Kodra përdorte emrin Arben Bakalli.

Identifikimi i shumë të kërkuarit, një njohës shumë i mirë i gjuhës turke, u bë nëpërmjet krahasimit të gjurmëve të gishtërinjëve.

Fatjon Kodra, 10 vjet më parë, tek Farmacia 10, në Tiranë ka vrarë me armë zjarri Sokol Pushën dhe ka plagosur Lulzim M., pas një grindje për motive banale.

Gjykata e Tiranës me vendimin nr.807, datë 16.12.1999, e ka dënuar personin në fjalë me burgim të përjetshëm, për veprën penale të vrasjes me dashje në lidhje me një krim tjetër.

n.e/NOA

KOMENTE