Tiranë, 22 tetor NOA - "Berisha jo vetëm që nuk i kthen raportet në programe pune po thellon problemet".
Kështu ka deklaruar sot deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj gjatë një deklaratë për shtyp e anë të së cilës iu referua edhe njëherë progres-raportit të KE-së.
"PS shpreh shqetësimin e saj për një tjetër shfaqje të deformimit të demokracisë në vend, e që lidhet me konstatimet e Raportit të BE lidhur me funksionimin e Parlamentit.
Shprehja më e qartë e këtij deformimi janë problemet që raporti ngre lidhur me çështje të mbikëqyrjes parlamentare ndaj qeverisë.
Konstatimi i Raportit lidhur me kontrollin e Parlamentit mbi Ekzekutivin është një ndër problemet më të mëdha të funksionimit të demokracisë në vend" tha Leskaj.
Sipas deputetes socialiste, konkluzioni tjetër i Raportit të BE se, zbatimi i buxhetit të parlamentit dhe rregullat e brendshme financiare kanë vazhduar të vuajnë nga mungesa e transparencës dhe përgjegjshmërisë, është gjithashtu i rëndë.
"Kjo provon edhe njëherë shqetësimin që opozita ka ngritur për mënyrën e menaxhimit të këtij institucioni.
PS vëren gjithashtu me të njëjtin shqetësim, që shpreh dhe raporti i BE-së, se administrata e parlamentit e rekrutuar jo mbi kërkesat e ligjit dhe e vënë nën presionin për t'u kthyer në një aneks të partisë në pushtet, ka krijuar kosto në cilësinë e punës" tha më tej Leskaj.
"Aktualisht jeta parlamentare mbetet e bllokuar për shkak të një kapriçoje të kryeministrit.
Kërkesa e opozitës dhe gjithë popullit opozitar për të hapur kutitë, është kërkesë legjitime. Â
Respektimi i kësaj kërkese jo vetëm do të zbardhë të vërtetën e 28 Qershorit, por do të zhbllokohet edhe jeta parlamentare që i hap rrugë dialogut politik në parlament dhe reformave që i nevojiten vend" përfundoi Leskaj.
k.k/NOA
Â