Tiranë, 22 tetor NOA - Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami zhvilloi dje dy takime bilaterale me ministrin e Mbrojtjes të Bullgarisë, Nikolay Mladenov dhe ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Konjanovski.
Takimet u zhvilluan në Sofje të Bullgarisë ku po zhvillohen punimet e Ministerialit të SEDM-it (Southeastern Defence Ministerial).
Ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë përgëzoi Ministrin Imami për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe rolin konstruktiv që po luan vendi ynë për stabilitetin në rajon.
Mladenov u shpreh se iniciativa të tilla si SEDM janë një format që nxisin marrëdhëniet mes vendeve në rajon.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë kërkoi intensifikim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe shkëmbim eksperience dhe ekspertize në fusha si ajo e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ministri Arben Imami u shpreh se do të ishte me interes që ekspertë të të dyja palëve të takoheshin dhe të marrin ekspertizë kryesisht në fusha me problematikë të përafërt si struktura organizative dhe integrimi i Ministrisë së Mbrojtjes me Shtabin e Përgjithshëm, municionet dhe modernizimi i Forcave të Armatosura dhe përdorimi eficent i buxhetit.
Ministrat e Mbrojtjes diskutuan edhe për çështje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon duke e konsideruar Kosovën si një çelës të këtij stabiliteti.
Takimi me ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë rikonfirmoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve dhe veçanërisht ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes. Ministri Imami u shpreh për instensifikim të marrëdhënieve dypalëshe me Maqedoninë dhe në kuadër të iniciativës A5.
e.r/NOA