English

Në rreth

Kryetarët e komunave flasin për ndërtime rrethesh dhe bahçesh me lule dhe afrim të qytetarit me administratën. Më këso administratash, ata do të bënin mirë të qëndronin sa më larg prej qytetarit

Nga Berat Buzhala*

Nuk ka vend më me lloç, më me pluhur, më me substanca kancerogjence, më me lloj-lloj gazrash, sesa vendi ynë, e çuditërisht dhe paturpësisht, një pjesë e fushatës zgjedhore të kandidatëve për kryetarë komunash është e përqendruar mu në ketë pikë. Kryetarët aktualë të komunave kanë bërë edhe spote publicitare ku tregojnë se sa parqe i kanë rregulluar. Hapësirat e gjelbra po i tregojnë me metra katrorë. Për shembull, në Prishtinë qenkan gjelbëruar 90 mijë metra katrorë. Edhe sikur e gjithë kjo të ishte e vërtetë, atëherë administrata komunale e Prishtinës për kokë banori i paska gjelbëruar disa centimetra hapësirë. A di dikush të tregojë se derisa janë hedhur ato fije të vetmuara të barit në Prishtinë, a në Ferizaj, a në Gjakovë, sa tonelata beton janë zbrazur, e sa tonelata armaturë me prejardhje të dyshimtë është thurur nëpër themelet dhe muret e shtëpive? Shikojeni Prishtinën dhe do të bindeni. Po ngrehin shtat kompleks pas kompleksi banesor. Janë shumë më shumë se 90 mijë metra katrorë të gjelbërimit që është mbjellë. Të dashur pushtetarë të jeshilët, në vende normale krijimi i hapësirave të gjelbra nuk matet as me metra katrorë, as me njësi të arit, por me hektarë. I vetmi park serioz në Prishtinë, ai i Gërmisë, po rrënohet prej betonit dhe armaturës, e dikush këtu më flet se i paska hedhë dy grushte farë bari në mes të rrugëve automobilistike. E mira e të mirave do të ishte që për ketë temë askush të mos fliste për sa kohë Termocentrali Kosova A është në këmbë, dhe për sa kohë regjistrimi i veturave nuk kushtëzohet me pajisjen e tyre me katalizatorë. Ta përmendësh gjelbërimin në ketë qytet të ngrysur është sikur ta përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Vetëm dhimbje shkakton. Përveç gjelbërimit që nuk e kemi e aq shumë përflitet, kandidatët e kësaj sezone elektorale e kanë zbuluar edhe një temë të përbashkët: ndërtimin e unazave në trafik, ose "rrethet", siç i quajnë ata. Ky është hiti i këtyre zgjedhjeve. Madje, edhe kandidatët më të patalentuar dhe me oratorinë më të vobektë po arrijnë që së paku ta thonë fjalën shpëtimtare - "Rreth". Por, çka në të vërtetë ofron rrethi? Ja, shikojeni Prishtinën. Janë gatuar nja 5 a 6 rrethe në hyrje-dalje dhe në mes të Prishtinës, por gjendja në trafik ka kaluar prej "keq" në "edhe pak më keq". Pra, nëse me rrethe është provuar të lehtësohet komunikacioni, ai qëllim nuk është arritur. A e dini pse? Sepse duke bërë rrethe në hyrje të Prishtinës është shpejtuar futja e veturave në qendër dhe tash qendra është shndërruar në një parking të madh. Nëse qëllimi ka qenë që tollovia të bartet prej hyrjes së qytetit në brendi të tij, atëherë ai është arritur me sukses të shkëlqyeshëm. Nëse ka pasur tjera qëllime, atëherë ato kanë mbetur në tentativë. Në mungesë të ndonjë kreativiteti, një pjesë të konsiderueshme të kohës kandidatëve nëpër media po ua han edhe prirja e tyre që administratën ta ofrojnë, siç thonë ata, "më afër qytetarit". Bile sa më afër. Ndoshta deri në shtëpitë e tyre. Kurse, nëse e sheh gjendjen faktike para secilës zyre e cila lëshon ndonjë vërtetim a ndonjë certifikatë, ajo është një rrëmujë bagdadiane. Nëse më kujtohet mirë, ky premtim elektoral ka dominuar edhe në zgjedhjet e vitit 2007, dhe në të gjitha zgjedhjet tjera. Kurse, prej vitit në vit, turmat vetëm janë rritur, e burokracia vetëm është trashur. Ka edhe tema të tjera bajate që po zënë vend në debate e tubime parazgjedhore. Por, edhe sikur të gjitha këto çështje, që herë-herë po diskutohen me aq pasion, të rregulloheshin krejtësisht, jetën e qytetarit nuk do ta ndryshonin përmbajtësisht. Plus që problemi i përmirësimit të jetës po kapet nga bishti. Pyetja esenciale është: çka mund të bëjë një administratë komunale dhe një kryetar i zgjedhur i komunës për t'i zgjidhur me rend problemet tona? A ekziston mundësia që komunat tona me efikasitetin e tyre ta rrisin buxhetin komunal në mënyrë që të bëhen sa më të pavarura ndaj granteve qeveritare? Kjo mund të bëhet vetëm nëse administrata komunale arrin që ta inkasojë në shkallë të mirë tatimin e vetëm që mund ta mbledhë - Tatimin në Pronë. Aktualisht, të gjitha komunat e Kosovës kanë dështuar që të mbledhin më shumë se 50 për qind - diku edhe 20 për qind - ketë tatim. Nëse kjo do të shkonte sipas standardeve normale, pra të inkasohet 90 deri në 100 për qind, atëherë planet komunale do të ishin shumë më ambicioze. Por, pushtetet komunale këtu bëjnë kompromise të turpshme. Hezitojnë të janë agresivë në inkasimin e tatimit, sepse i bëjnë llogaritë për votat në ditën e zgjedhjeve. Ka edhe mundësi tjera. Gjitha këto mijëra ndërtime ilegale që kanë ndodhur në Prishtinë nuk janë trajtuar asnjëherë në mënyrë serioze. Askush nuk po kërkon që ato të rrënohen vetëm se mund të rrënohen, mirëpo së paku të përfitohet prej tyre. Legalizimi i atyre objekteve që mund të legalizohen do të mund ta rriste dukshëm buxhetin komunal. Mirëpo, kjo nuk mund të ndodh në mënyrë stihike. Për t'u realizuar një operacion i tillë, ishte dashur të ekzistonte një qasje shumë më agresive. Një administratë e tërë në Prishtinë ishte dashtë të merrej vetëm me ketë problem, në mënyrë që situata të merrej nën kontroll. Paramendojeni gjithë ato mijëra objekte ilegale që tashmë janë realitet, nuk e paguajnë atë tatim të vetëm që mund ta mbledhë komuna. Legalizimi do të nënkuptonte shtyrjen e tyre për t'u futur brenda ombrellës së ligjit. Asnjë prej kryetarëve të komunave aktuale në Kosovë, pa përjashtim, nuk ka arritur që të krijojë një ambient të mirë për investime të huaja. Edhe nëse ka të tilla, atëherë ato janë duke vepruar në ilegalitet, e ne të tjerët nuk po i shohim. Ka edhe probleme tjera shumë më akute sesa ndërtimi i rretheve nëpër qytete, e që veshët nuk po m'i dëgjojnë në këtë fushatë zgjedhore. Unë nuk e di nëse ndonjë prej komunave të Kosovës ka ujë të mjaftueshëm të pijes, e kjo temë nuk po trajtohet sipas rëndësisë që ka. Banorët e qyteteve të Kosovës gjatë stinës së dimrit ngrijnë prej acarit, e kandidatët as që e trajtojnë si problem, sado që po futemi në dimër. Ata janë futur në një rreth të madh dhe nuk po mund ta dalin assesi prej tij. Përparësi kalimi kanë të gjithë. Por, rrethi, kopshtet dhe afrimi i administratës afër qytetarit, do të ndodhin vetëm kur komuna do të bëhet më e pasur se sa është tash. Me ketë varfëri të buxhetit do të sharrojmë në lloç edhe më të madh. Problemi i parë duhet të zgjidhet i pari. Apo jo? Kryeredaktor i "Express"

KOMENTE