English

Një punëtor gjen vdekjen duke punuar në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë

Fushë-Krujë, 22 tetor, NOA - Në orët e para të mëngjesit të sotëm një punëtor ka gjetur vdekjen duke punuar në mjediset e fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë.

Lajmi bëhet i ditur nga burimet policore për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave viktima është 45-vjeçari Naim Baku, banor i fshatit Luz në Fushë Krujë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe inspektore të Inspektoriatit të Punës së rrethit.

Nga veprimet e para hetimore mendohet se shkaku i vdekjes mund të ketë ardhur si pasoje e dëmtimeve të shumta që i lartpërmenduri ka marrë gjatë kohës kur po punonte në njërën nga makineritë e fabrikës së çimentos, duke mos respektuar rregullat e sigurisë në punë.

Ekspertët janë duke kryer ende hetime lidhur me ngjarjen dhe në përfundim të tyre do të vënë në dijeni publikun për shkaqet e vërteta që çuan rastin e përsëritur të humbjes së jetës së një punëtori në fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë.

n.e/NOA

KOMENTE