English

Policia shkatërron një bandë hajdutësh, 7 persona mes tyre një vajzë kryenin vjedhje në 5 qytete

Kavajë, 22 tetor NOA - Policia e Kavajës ka shkatërruar një grup hajdutësh të përbërë nga shtatë anëtarë të cilët operonin në pesë qytete të vendit ku kryenin vjedhje të ndryshme.

Sipas policisë shtatë personat mes tyre dhe një vajzë dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh të ndodhura në Rrogozhinë, Golem, Durrës, Kavajë dhe Vlorë.

Pas regjistrimit të një sërë denoncimesh për vjedhje policia nisi menjëherë hetimet duke dyshuar se ato ishin vjedhur nga një grup hajdutësh që vepronin bashkërisht.

Kështu ditën e djeshme oficerët e policisë së Kavajës organizuan një operacion të koduar "Lëvizje e shpejtë" i cili u finalizua me arrestimin e Lulzim Kalaja, 32-vjeç, Elvis Kalaja, 24-vjeç, Jodjan Shametaj, 19-vjeç, Gramos Shehaj, 18-vjeç, Ilirjan Mukaj, 30-vjeç, Vllasi Furrxhi, 20-vjeç dhe Beslinda Lile, 20-vjeçe.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se arrestimi i tyre u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kohore, kanë realizuar një sërë vjedhjesh të shtrirë në zonat Rrogozhinë, Golem, Durrës, Kavajë dhe Vlorë.

Pas një hetimi intensiv dy mujor i realizuar nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Kavajë u bë e mundur dokumentimi ligjor i implikimit të tyre në vjedhjet e disa lokaleve, banesash, karburanteve etj.

Autorët e dyshuar, qarkullonin me motorë nga qyteti i Vlorës për në drejtim të Kavajës për të realizuar mësë miri vjedhjet e tyre.

Përgjatë segmentit rrugor Kavajë-Rrogozhinë, ato janë kapur në flagrancë, në ndjekje e sipër nga forcat e policisë duke vjedhur karburant, (naftë), në makineritë e firmës "Salillari" Sh.p.k, të ndodhur në Kavajë.

Ndërkohë, nga puna hetimore e bërë, u bë e mundur dokumentimi ligjor, i vjedhjes së lokalit në pronësi të një shtetasi e ndodhur më datë 4 shtator të këtij viti në fshatin Vilë, Boshtovë, Kavajë, ku janë vjedhur shumë pajisje të një lokali si, dy ekspresë, kafeje, një frigorifer banak, një frigorifer ngrirës, një makinë grirëse mishi, një gjenerator dhe sende të tjera të ndryshme.

Gjithashtu, u bë dokumentimi i vjedhjes së automjetit tip-Benz 240, me targë KJ 5876 A, i vjedhur me datë 10 tetor të këtij viti, në fshatin Manzotaj Kavajë, në pronësi të një shtetasi, mjet i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Pas hetimeve të mëtejshme për dokumentimin e disa vjedhjeve të mëparshme të ndodhura në Kavajë, ka rezultuar se të të arrestuarit janë autorë edhe të disa ngjarjeve të tjera si, vjedhje lokalesh, vjedhje banesash, vjedhje automjetesh, vjedhje këto të shtrira në zonën e Kavajës, qytetit të Durrës dhe të Vlorës.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestrua një automjet tip-Benz, me targë SIOSH, një motor triçikël, pa targa, një motor skuter i vjedhur, një televizor Plazma LG 42 polsh, 4 - dyer mjeti tip-Benzi 250, një sërë targash të dyshuara të vjedhura, dy ekspres kafeje, si ato të lokaleve, një mulli kafeje, si ato të lokaleve, një video dhe një kasetofon.

Ndërkohë, nga strukturat e hetimit të krimit po punohet për zbardhjen dhe dokumentimit e plotë ligjor të tjera vjedhjeve të realizuara në këto zona.

k.k/NOA

KOMENTE