Tiranë, 22 tetor NOA - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar sot menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Berisha, duke theksuar se PS kërkon me ngulm hapjen e kutive.
"Opozita kërkon transparencën e një procesi zgjedhor, kërkon transparencën për tu ndalur njëherë e mirë nga traditë e mbrapshte zgjedhjesh.
Ne kërkojmë transparencë të plotë për të kthyer besimin tek vota dhe te zgjedhjet e shqiptarëve që shumica dërrmuese e ka humbur besimin për shkak të 28 qershorit.
Berisha nuk mund ta pengojë këtë transparencë" deklaroi sot Rama.
"Berisha na qenka dashamirës ndaj kërkesave të opozitës kur ato janë brenda ligjeve çfarë është e pahijshme për të hapur kutitë asgjë të paligjshme nuk ka dhe mesa duket krahasimi me Afganistanin ka qenë shumë bujar. Sot jemi në kushtet kur krahasohemi me Iranin.
Ka pranuar jo vetëm hapjen e kutive por edhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Proçesi në Shqipëri ka lidhje me shumë me ato modele që i kemi shpjeguar si Republikat ish-Sovjetike ku pushteti numëron pavarësisht sesi voton populli, Shqipëria nuk mund të jetë një model i tille, ne do të punojmë për të mos e pranuar këtë model" tha më tej Rama.
Sipas Ramës, Berisha po zgjat dita ditës agoninë e një parlamenti që ka lindur i deformuar mbi vullnetin e deformuar të shqiptarëve që mesa duket nuk ka gjasë të vetlegjitimohet duke bërë transparencën dhe duke garantuar barazinë e palëve para ligjit sepse është ligji që është shkelur në thelbin e këtij procesi të mbrapshtë.
"I kemi shpjeguar dhe janë të gjitha të rreshtuara kërkesat e PS-së por kërkesa e kërkesave është hapja e kutive.
Transparencë për listën e zgjedhjeve për të gjitha procesverbaleve për të gjitha votat që hidhen në kuti.
Dhe të shërbejë për të mos pasur më procese të tilla për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri" tha Rama.
k.k/NOA
Â