English

Topi: Gjyqësori në Shqipëri ka probleme por edhe është punuar shumë

Tiranë, 22 tetor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në konferencën "Sistemi shqiptar i drejtësisë drejt standardeve evropiane" që mbahet në mjediset e hotel "Tirana International" me praninë e Kreut të Përfaqësisë së KE në Shqipëri, Helmut Lohan, kreut të Misionit EURALIUS në vendin tonë, Roland Miklau, Ambasadorit të Gjermanisë, Bernd Borhardt, si dhe ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe të tjerë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë nga i gjithë vendi.

"Është një nder i veçantë për mua që të hap këtë takim të rëndësishëm, në një auditor shumë profesional, natyrisht me pjesëmarrjen e politikës dhe në radhë të parë të atyre misioneve dhe ekspertëve, që kanë asistuar në reformën e institucioneve të gjyqësorit shqiptar. Kështu që fillimisht do të doja të falënderoja organizatorët e këtij takimi!

Do të doja të vlerësoja në mënyrë të veçantë atë punë profesionale mjaft të rëndësishme që është bërë në vite nga ekspertët vendorë dhe të huaj!" tha sot Topi. "Sot ne kemi shansin që në funksion të këtij takimi t'i referohemi pikërisht atyre objeksioneve që dalin nga progres raporti i publikuar disa ditë më parë, ku në mënyrë të veçantë sillen nota realiste mbi sistemin gjyqësor, mbi institucionet e së drejtës dhe padyshim që krahas arritjeve që janë bërë shprehen edhe nota kritike.

Kështu që ne sot nuk kemi disavantazhin për të diskutuar në përgjithësi.

Gjithnjë e më shumë diskutimi ynë duhet të bëhet më cilësor.

Duhet ta trajtojmë çështjen e reformës në drejtësi pikërisht në ato gjëra ku ajo mbetet për t'u realizuar dhe patjetër ajo që kërkohet edhe nga ky takim është një apel për të gjithë aktorët.

Nuk mund të ketë absolutisht asnjë lloj monopolizimi të së drejtës për të reformuar sistemin e drejtësisë. Në lojën e institucioneve janë aktorët politikë, janë profesionistët, janë ata për të cilët diskutohet, janë gjyqtarët në të gjitha nivelet, janë ekspertët e vendit, janë ekspertët e huaj, është opinioni publik, sepse tek e fundit shteti i së drejtës vepron, në radhë të parë, në funksion të qytetarit" tha më tej Topi. Gjatë fjalës së tij, presidenti theksoi se është është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet gjatë për problemet që ka gjyqësori në Shqipëri dhe se nga ana tjetër, duhet thënë se është bërë shumë.

"Klasa politike e ka detyrim të vazhdueshëm që të merret me reformën.

Kjo ka qenë arsyeja që unë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme politike kam bërë një apel të drejtëpërdrejtë për partitë politike, jo sepse ato nuk e kanë në programin e tyre, do të thosha që është pjesë substanciale e programit të partive politike reforma në drejtësi, por kërkohej një prononcim elokuent, një prononcim i qartë, sepse për reformat në drejtësi nuk mjafton të kesh për të realizuar atë që ke të shkruar, por kërkohet patjetër bashkëpunim.

 Dihet qartë që vetëm bashkëpunimi mes forcave politike mund të realizojë ligjet për gjyqësorin" deklaroi presidenti.

"Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vërtet është struktura më e rëndësishme që qeveris gjyqësorin, por s'është i vetmi.

Këshilli, edhe nga përbërja është multifunksional; dikush vjen nga Parlamenti, dikush vjen nga Konferenca Gjyqësore, dikush ex-officio, por të gjithë së bashku, edhe kur marrim vendime nuk i marrim për të qenë definitvë në ato vendime, sepse disa vendime nga KLD janë konstestuar nga Gjykata e Lartë, ky është treguesi i pavarësisë nga njëra anë, por nga ana tjetër është tregues që këto institucione nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin në distancë, këto institucione duhet të bashkëpunojnë, sepse janë disa gjëra të pakontestueshme të cilat vjen rasti dhe kontestohen" tha Topi.

k.k/NOA

Â

KOMENTE