Tiranë 22 tetor NOA-"Shqipëria e Kosova do të vazhdojnë të intesifikojnë bashkëpunimin rajonal në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve që nuk njeh kufij", kështu ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi në takimin me zv/shefin e Departamentit të Policisë së EULEX-it, Lamberto Lucas i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë.
Gjatë këtij takimi z. Prençi duke prezantuar procesin e transformimit që ka pësuar Policia Shqiptare dhe ndryshimet e bëra ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë që prej vitesh asistojnë policinë shqiptare si PAMECA e ICITAP theksoi:
"Me policinë e Kosovës ne kemi pasur bashkëpunim të vazhdueshëm, por urat e bashkëpunimit janë shumë të gjëra dhe duke pasur parasysh që krimi nuk njeh kufij, ne duhet të jemi të përgatitur për të përballuar çdo sfidë.
Nisur nga roli i EULEX në Kosovë, ne jemi të hapur për bashkëpunim për të qenë sa më efikas në luftën kundër krimit", - theksoi z. Prençi.
Ndërkohë z. Lucas, gjatë fjalës së tij shprehu vlerësimet për progresin e Policisë Shqiptare, për fazën përzgjedhëse të stafit, i cili është një proces kompleks, që do të implementohet dhe në Kosovë, ku si pikë reference do merren hapat pozitivë të Policisë Shqiptare.
m.i/NOA